SOCIOLOGJI FESTASH (II)

Ritualet – siç shprehet Michelle Janning – krijojnë një imagjinim për nostalgjinë e së ardhmes (imagined future nostalgia). Dhe ndonëse jetojmë në një kohë postsentimentale (E. Pleck), që përbën një reagim ndaj ekzagjerimit të ritualeve kremtuese, këto të fundit mbeten pjesë e agjendave tona individuale dhe kolektive ngase na ofrojnë stabilitet, satisfaksion, idealizim, prodhojnë kuptim (producing meaning) të cilin e komentojmë, për të cilin shkruajmë, publikojmë, promovojmë…

Festat mund të jenë të natyrave të ndryshme, kombëtare, fetare, panhumane (gjithënjerëzore). Shembuj të të parave, që promovojnë historinë kombëtare, patriotizmin, ditëlindjen e liderit kombëtar, ditën e pavarësisë, janë dita e pavarësisë (SHBA, 4 Korrik), e Sovranitetit Kombëtar (Argjentinë, 20 Nëntor), Dita Nacionale (Belgjikë, 21 korrik), Dita e Çlirimit (Hollandë, 5 Maj), Dita e Republikës (Irak, 15 Korrik), Dita e Australisë (15 janar) e të ngjashme. Festa fetare janë Yom Kippur (hebraizëm), Kërshëndellat (krishterim), Bajramet (islam), etj., kurse festa ndërkombëtare janë 1 Maji, Dita e gruas (8 marsi),  Dita Botërore e Kafshëve (4 tetori), Dita e Mësuesit (5 tetori), Dita e Rinisë (12 gusht), e Demokracisë (15 shtatori), e Kombeve të Bashkuara (24 tetor)… Ekzistojnë edhe tipologji të tjera si festa gjinore, ekologjike, shekullare, publike, jozyrtare e të tjera. Në esencë festat kanë karakter fetar, siç tregon edhe vetë fjala anglaze holiday që rrjedh nga holy-shenjtë, hyjnore dhe day-ditë, ditë e shenjtë.

Pra ditët dhe ceremonitë festive janë praktika performative, forma të celebrimit, rituale publike. Sipas Critcher dhe  Tomlinson janë fantazi të përjetuara (lived fantasies), janë ngjarje të vetëkonfirmimiit dhe vetëindulgjencës, të njohjes së një interesi të përbashkët – “jemi këtu të gjithë për të kënaqur vetveten.” Festat kanë edhe përmasën pozitive por edhe efektin e kundërt. I rrisin kontaktet sociale që s’mund të realizohen gjatë ditëve të punës, ofrojnë relaks, por mund të shkaktojnë edhe gërryerje financiare nëse ekzagjerohen, mund të shkaktojnë bllokim të ekonomisë nëse ka shumë në numër dhe janë të gjata. Vende me më shumë ditë të festave zyrtare janë Kamboxha me 28, Irani 27, Shrilanka me 25, India dhe Kazakstani me 21, ndërsa më së paku ditë pushimi kanë Gjermania, Britania, Spanja Kanada  me nga 8 dhe Meksiko me vetëm 8 ditë festive gjatë gjithë vitit. Maqedonia e Veriut për vitin 2019 shënon 13 ditë festive, Shqipëria 17, ndërsa Kosova 13.

Sipas një hulumtimi të platformës “CupoNation Australia” lidhur me 195 vende të botës për periudhën 2016-2020 ekziston një korelacion i zhdrejtë mes numrit të festave dhe pagave: “Sa më shumë festa aq më e ulët paga”. Dhjetë vendet e para me pagat më të larta në botë kanë vetëm nga tetë festa zyrtare.  Punëtorët në vendet europiane kanë mesatarish 10-14 ditë festive të paguara. Norvegjia ka vetëm dy festa zyrtare që ua kompenson materialisht punëtorëve. Amerikanët shokojnë: asnjë ditë të paguar festive.

Për fund të themi se koha jashtëfestive është më e gjatë se ajo festive andaj, të mos e bëjmë gjithë vitin a jetën festë, të festojmë me mend, sa duhet e si duhet! Ç’kënaqësi është të festosh ditën e alfabetit, e të mos lexosh asnjë libër brenda vitit? Ç’sens ka të bësh shqiponjën e të krekosesh me ditën e pavarësisë e të mos kontribuosh për vlerat kombëtare me vepra konkrete? Facta non verba! (Punë jo llafe) do kishin thënë latinët e vjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button