Xhaferi: Nga epilogu i takimit Zaev-Mickoski varet edhe shkarkimi i Janevës
Megjithëse jozyrtarisht u tha se, shkarkimi i kryeprokurores Speciale, Katica Janeva nesër do të jetë në seancë plenare, këtë e vuri në dyshim sot, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.
Ai tha se, vënia në seancë plenare e shkarkimit dhe Ligjit për Prokurori Publike, varet nga epilogu i takimit të liderëve Zoran Zaev dhe Hristijan Micskoski.
“Do të presim. Të shohim se si do të përfundojnë negociatat. Nëse ka marrëveshje, seanca mund të mbahet edhe nesër”, tha Xhaferi për MIA-n.
Nga ana tjetër, takimin Zaev-Mickoski e kanë kritikuar partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA.
Ndërkohë, Zaevi dhe Mickoski priten të takohen në ora 20, për të diskutuar për Ligjin për Prokurori Publike me të cilin definohet edhe statusi i Prokurorisë Speciale Publike.
LEXO: Pesë ditë të tjera për të zgjidhur fatin e Janevës, ekipin e saj dhe rastet “T”
Sa i takon shefes së deritashme të PSP-së, Katica Janevës e cila është në paraburgim se, është e dyshuar në rastin “Reket”, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është duke u zhvilluar procedurë për shkarkim, pasi paraprakisht Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime e miratoi Raportin e Këshillit të Prokurorëve Publikë.