ASH-ja dhe BESA kritikuan Zaevin që nuk i ftoi në takimin me Mickoskin

Partitë politike opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët(ASH) dhe Lëvizja BESA kanë dërguar kritika deri te kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë(LSDM), Zoran Zaev për shkak se, ka anashkaluar opozitën shqiptare në takimin e sotëm me liderin e opozitës maqedonase – VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, njofton Portalb.mk.

Zëdhënësi i ASH-së, Flakron Bexheti ka deklaruar se, ASH-ja në mënyre kategorike kundërshton idenë e një takimi të mbyllur vetëm mes Zaevit dhe Mickoskit, duke i përjashtuar ose duke mos i ftuar forcat politike shqiptare.

“Kush ua jep të drejtën Zaevit dhe Mickoskit t’i përjashtojë ose mos ti ftojë përfaqësuesit politik shqiptar nga takimin e Liderëve? Kush do të flasë në emër të votuesve shqiptar për Ligjin e Prokurorisë Publike? Kush do të flasë në emër te qytetarëve shqiptarë eventualisht nëse hapet tema zgjedhjeve te parakohshme parlamentare? Meqenëse se nuk përjashtohet mundësia në atë takim të bisedohet edhe për tema tjera aktuale, po supozojmë, për regjistrimin e popullatës? Çka mund të mendojnë qytetarët shqiptarë, nëse vetëm Zaevi dhe Mickoski flasin për regjistrimin e popullatës, duke lënë hapësirë dhe mundësi që dikush edhe të gabojë, ose të mos gabojë në konstatimet dhe paragjykimet e tija?”, tha Bexheti

Bexheti ka dërguar kritika edhe te partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI).

“Ky takim pa përfaqësues shqiptar ndodh edhe falë BDI-së cila si zakonisht e nënshtruar, ka pranuar se nuk e ka legjitimitetin për ti përfaqësuar votuesit shqiptar, madje as që ka shpreh pakënaqësi për këtë takim përjashtues, pa faktorin politik shqiptar”, tha Bexheti.

Nga ana tjetër, kritika ndaj takimit nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social, “Fejsbuk” ka shprehu edhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami i cili ka deklaruar se për partinë e tij është e papranueshme çfarëdo marrëveshje që do të arrinin Zaevi dhe Mickoski.

“Çfarëdo marrëveshje që do të arrinin Zaev dhe Mickoski për Ligjin për Prokurorinë dhe për ‘Bombat’ e PSP-së, për Lëvizjen BESA do të jetë e papranueshme nëse pjesë e Marrëveshjes nuk do të jetë që proceset hetimore dhe gjyqësore të dala nga ‘Bombat’ e PSP-në nuk shqyrtohen edhe nga profesionistë nga SHBA dhe BE! Nëse një gjë e këtillë nuk është pjesë e Marrëveshjes, atëherë me automatizëm nënkuptohet se Zaev dhe Mickoski kanë arritur marrëveshje vetëm për të mbrojtur kriminelët e tyre partiakë dhe ata që shkatërruan shtetin vetëm për t`u pasuruar vetë”, shkroi Kasami.

Përndryshe, sot, për në ora 20, është paralajmëruar takimi Zaev-Mickoskit, me temë diskutimi Ligjin për Prokurori Publike me të cilin definohet edhe statusi i Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button