Sipas Ligjit, KPP-ja nuk mund të vendos ndaj dorëheqjes së Janevës

Portali “360 Shkallë”, duke cituar Ligjin për Prokurorinë Speciale Publike (PSP) ka njoftuar se, edhe nëse dorëheqja e kryeprokurores së PSP-së, Katica Janeva do të arrinte në Këshillin e Prokurorëve Publikë (KPP), i njëjti nuk mund të vendosë ndaj saj, transmeton Portalb.mk.

Sipas nenit 17 të Ligjit për PSP, në këtë rast – dorëheqjen, ndërprerjen e funksionit e verifikon Këshilli i Prokurorëve Publikë me propozim të Kuvendit.

Kuvendi, sërish, propozimin për ndërprerje të funksionit e verifikon pas arritjes së pajtimit të katër partive politike me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, me shumicë prej 2/3 votave, përfshirë edhe shumicë të deputetëve që u takojnë komuniteteve të cilat nuk janë shumicë – shumicë të badenterit. Pas kësaj, ajo dërgohet në Këshillin e Prokurorëve.

Ky lexim i Ligjit vjen pasi që sot mediat publikuan informatën se Katica Janeva nga paraburgimi ka aktivizuar dorëheqjen e saj që e dha në korrik të këtij viti.

“E jap dorëheqjen time e cila do të aktivizohet atëherë kur partitë politike do të mirën vesh për ligjin e ri me të cilin dhe do ta zgjedhin pasardhësin tim”, tha mes tjerash në dorëheqjen e saj, Janeva.

Nga ana tjetër, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend sot njëzëri e ka miratuar raportin paraprak të KPP-së për shkarkim të Janevës. Pasi që kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ta pranojë vendimin e Komisionit, gjegjësisht propozimin që të shkarkohet Janeva, duhet të thirr seancë plenare. Që të verifikohet vendimi i Komisionit, duhet të sigurohet 2/3 e numrit të deputetëve dhe shumicë prej badenterit. Procedura për shkarkimin e Janevës vjen pasi ajo është e dyshuar në rastin “Reket”, me çka është në paraburgim për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar.

Dorëheqja e Janevës erdhi pak orë para se, të arrestohen dy të dyshuarit e parë në rastin “Reket”Bojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13”dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeec. Ata dyshohen se, kanë zhvatur biznesmenë nëpërmjet Janevës, duke marrë 1,5 milionë euro vetëm nga biznesmeni Orce Kamçev për t’ia lehtësuar procedurën hetimore për pastrim parash në lëndën “Perandoria”, ndërsa duhej të merrnin edhe 4,5 milion euro të tjera, gjithsej 8 milionë. Gazeta italiane “La Verita” ka publikuar disa video-audio materiale, në të cilat shihet se si Boki 13 dhe Zoki Kiçeec marrin paratë prej biznesmenit Orce Kamçev në shtëpinë e tij.

LEXO PËR LËNDËN: REKETI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button