Jahiu ka dalë nga paraburgimi pasi ka dhënë 105.000 euro garanci dhe ia kanë ngrirë tërë pronën

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Jahi Jahiu dje është lëshuar nga paraburgimi që të mbrohet në liri, pasi që ka dhënë garanci 105.000 euro dhe me propozim të Prokurorisë, Gjykata ia ka ngrirë tërë pronën, njofton Portalb.mk.

“Me vendim të Gjykatës është pranuar propozimi i mbrojtjes për t’u dhënë garanci prej 105.000 euro. Plotësisht, me kërkesë të prokurorit kompetent, i është ngrirë tërë prona të dyshuarit. Me vendim të Gjykatës gjithashtu të dyshuarit i është marrë dokumenti udhëtues dhe gjatë ditës së djeshme është lëshuar të mbrohet në liri me të gjitha këto garanci”, thonë për Portalb.mk, nga Prokuroria.

Ata shtojnë se ai ende është i dyshuar, pra lënda është në fazë hetimi, ndërkaq kur të kenë më shumë detaje për dorëzim të vendimit prokurorial do të njoftojmë.

Paraburgimi i Jahiut erdhi me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. I njëjti u arrestua nga Sektori për Shkatërrim të Krimit të Organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me çka Prokuroria nisi procedurë hetimore për Jahiun dhe një person tjetër – ish udhëheqës i sektorit të MSHIA-së, si të dyshuar se gjatë periudhës 2014-2016 kanë pranuar ryshfet nga një person juridik prej Italisë – fitues i tenderit të Fondeve IPA në vlerë prej 1.096.900 euro.

I dyshuari i parë – Jahi Jahiu thuhet se nga ndërmjetësuesi ka marrë dhuratë në vlerë prej 39.930 euro, ndërkaq i dyshuari i dytë në vlerë prej 2.500 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button