Pastrimi i deponisë me Lindan toksik në OHIS do të presë vitin e ri

Po vonohet procesi i pastrimit të deponisë së vogël me Lindan në ish fabrikën OHIS në Shkup. Tenderi ndërkombëtar për të gjetur kompaninë që do të realizojë pastrimin e deponisë së parë nga disa me të herbicidin e rrezikshëm Lindan dhe të përcaktojë metodën për ta eliminuar ose neutralizuar Lindanin që duhej të bëhej deri kah mesi i gushtit, nuk është shpallur ende, njofton META, transmeton Portalb.mk.

“Ne e kemi bërë pjesën tonë të punës, procesi është tani në duart e UNIDO-s, (Agjenica e KB-së për zhvillim industrial) dhe presim që brenda dhjetë ditëve të ardhshme të shpallet tenderi” thotë Suzana Andonova, drejtuese e Zyrës për ndotës organikë të pazbërthyeshëm (POP) në Ministrinë mjedisit jetësor.

Sipas Andonovës, deri në muajin nëntor duhet të dimë se cila kompani dhe me cilën metodë do të pastrojë Lindanin nga deponia e vogël, ndërsa aktivitetet në terren duhet të fillojnë kah fundi i vitit. Në pyetjen se kur do të zgjidhet problemi me lokacionet tjera për të cilat dihet ose supozohet se kanë të mbuluar sasi të mëdha të Lindanit helmues, Andonova thotë se varësisht nga fondet që do të sigurohen në periudhën e ardhshme, do të bëhen përpjekje që procesi i pastrimit të deponisë së vogël të vazhdojë me pastrimin e deponisë së madhe, e cila gjithashtu është në zonën e ish fabrikës OHIS.

“Deri më tani mbështetje financiare është siguruar nga Komisioni Evropian dhe Mbretëria e Norvegjisë, ndërsa ka bisedime dhe paralajmërime se do të sigurohen mjete prej donacioneve për të vazhduar procesin e pastrimit të lindanit nga lokacionet në të cilat dihet ose dyshohet që ka lindan të depozituar”, ka shtuar Andonova.

Për të pastruar deponitë tjera duhet të hartohen projekte të veçanta.

Zyrtarët e ministrisë nuk kanë arritur ende të specifikojnë numrin përfundimtar të vendeve ku ishte është mbuluar helmi i rrezikshëm, i cili është hedhur vitet 1970-a nga prodhuesi, OHIS-i i Shkupit, pasi ishte ndaluar prodhimi dhe përdorimi i tij. Njëri lokacion, ku vlerësohet se janë depozituar rreth 8,000 ton e këtij kimikati, gjendet afër zonës së Pelenicës mbi Draçevë të Shkupit.

Nën presionin e publikut, veçanërisht nga ekologët dhe pas shkrimeve në “Meta”,  MMJPH në dhjetorin e kaluar shpalli ndalesë për organizim të ekskursioneve për nxënësit në Pelenicë, pikërisht afër deponisë së atëhershme të pa shënjuar të lindanit, e pastaj e rrethoi atë, por tabela për paralajmërim për të cilën Ministria pretendonte se ishte vendosur është zhdukur dhe s’ka informacion se kur do të vendoset tabela e re.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button