Dora e padukshme e “Ranës së hedhun”

Lisat gjigantë, që era i ka kërrusur e shtrembëruar gati përtokë, iu bëjnë hije atyre që kanë marrë rrugën e plazhit të “Ranës së hedhun”. Kërrusja në formë harku të krijon bindjen se në çdo moment rrënjët do t’u këputen dhe do të të “përpijnë”

Por kjo përshtypje nuk zgjat shumë. Më shumë të tërheqin qetësia dhe freskia që e japin. Një përzierje e rrallë e erës së malit dhe e detit. Instinkti i frikës që mund të ketë shoqëruar disa sekonda më herët, zhduket dhe vazhdon rrugën i qetë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Bashkëjetesa mes detit dhe malit, që në fillim bie në sy, zëvendësohet me vëmendjen që e tërheq rëra e imtë, si vijë ndarëse mes tyre. Rëra që mban emrin “Rana e hedhun”. Me këtë emër njihet tërë zona, e cila prej qytetit të Shëngjinit të Shqipërisë është larg vetëm katër kilometra e gjysmë.

Ky plazh zë hapësirë rrëzë malit që njihet si Mali i Rrencit, duke krijuar një pamje të veçantë bregdetare. Ka një gjatësi prej tre kilometrash. Fillon me një bregore të vogël rëre, që arrin lartësinë deri në 2-3 metra, pastaj vijon me një pyllëzim me pisha mesdhetare. Ato krijojnë një brez të gjelbër në një gjatësi prej 500 metrash.

Njihet edhe si “Oaza e Shqipërisë” apo “Oaza e Adriatikut”.

Pamja dhe pozita e “Ranës së hedhun” lënë përshtypjen sikur rëra i është sulur malit, shpati i të cilit është i mbushur me të. Nuk mungojnë as shkëmbinjtë, që duken se zbresin nga mali dhe puthiten me detin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button