Ndotja dhe mbipeshkimi dëmtojnë habitatin detar të Shqipërisë
Në bregdetin shqiptar, ndotja e ujërave dhe peshkimi pa kriter ka sjellë rënien e sasisë së peshkut dhe dëmtimin e gjallesave detare, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se po merr masat e duhura për të minimizuar dëmet. Në bregdetin shqiptar, ndotja e ujërave dhe peshkimi pa kriter ka sjellë rënien e sasisë së peshkut dhe dëmtimin e gjallesave detare, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se po merr masat e duhura për të minimizuar dëmet, shkruan Zëri i Amerikës (VOA).
Në luginën e Patokut buzë detit Adriatik, peshkatarët kanë gjetur mënyra të reja për të nxjerrë peshkun në breg.
Boshti i këtij automjeti të vjetër të markës “Benz” shërben për të vënë në lëvizje litarët, ku janë mbërthyer rrjetat e peshkimit. I gjithë procesi drejtohet nga kabina e makinës.
Praktikat primitive të peshkimit nuk janë problemi i vetëm i peshkatarëve të kësaj zone. Shqetësim kryesor është minimizimi i stokut të peshkut. Në lagunën Kune Vain, ulja e sasisë së peshkut lidhet me shumë faktorë.
Një ndër më të rëndësishmit është ndotja që vjen nga qyteti i Lezhës apo nga kimikatet që përdoren për tokat bujqësore, të cilat mbërrijnë në lagunë përmes hidrovoreve.
“Problemi i ndotjes është hidrovori, i cili bjen të gjitha mbeturinat e zonave përreth. Të gjithë detergjentet dhe helmet kalojnë në lagunë dhe peshku detyrimisht që nuk hyn. Vetë laguna është cekur nga hyrja e Drinit që futet brenda. Ka ra me shumë- shumë hyrja e peshkut dhe prodhimi i peshkut”, thotë Çelë Gjetja, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Kune-Vain.
Rënia e stokut të peshkut nuk është e kufizuar vetëm në luginën e Patokut, por është e shpërndarë në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. Sipas studiuesve të fushës, kjo ka ndodhur për shkak të peshkimit pa kriter dhe të paligjshëm, por edhe nga kompanitë e mëdha që operojnë në këtë biznes.
“Pranohet gjerësisht që në tre dekadat e fundit, ka një ulje të stokut të peshkut. Nëse kapnim 100 peshq, 100 ngjala sot kapim 25. Kohët e fundit vëret një shqetësim i të gjithë peshkatarëve, që quhet peshkim në nivel të vogël. Ata ndeshen me faktin që kompani të mëdha, të cilat kanë anije të fuqishme, gjuajnë jo në zonën e përcaktuar disa milje larg bregut, por ato futen edhe në pjesën fundore duke gjuajtur në këtë mënyrë edhe në hapësira që nuk iu përkasin atyre. Kjo ka efekte shumë negative”, thotë Spase Shumka – profesor i Akuakulturës në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Sipas të dhënave të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, deti Mesdhe ka një shkalle të lartë të mbipeshkimit dhe vetëm 36.6% e specieve janë të shfrytëzuara në mënyrë të qëndrueshme.
Bazuar në rekomandimet e FAO, Shqipëria ka ndaluar dhënien e lejeve të reja për peshkim tregtar profesional prej vitit 2020 si dhe i ka pajisur anijet e mëdha të peshkimit me sistem monitorimi satelitor për të ndaluar aktivitetin e tyre përtej distancës prej 3 milje detare ose 50 metra thellësi.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, peshkimi tregtar me anije të mëdha është sektori më i formalizuar i ekonomisë, ndërsa sistemi i monitorimit mundëson vëzhgimin e tyre në kohë reale nëpërmjet satelitit.
“Që nga fundi i janarit 2022 deri më sot, asnjë anije peshkimi nuk ka hyre në zonë të ndaluar dhe nuk është marrë asnjë masë administrative”.
Ekspertët e Akuakulturës i vënë në dyshim rezultatet e ministrisë, pasi në ekspeditat e tyre kanë gjetur dëme në habitatin e detit, që sipas tyre nuk mund të shkaktohen kurrsesi nga peshkatarët e vegjël dhe mjetet e tyre primitive.
“Gjithnjë e më pak ne ndeshim molusqe që janë specifike për zonat e thella, të cilat gjuhen me trata. Ose sfungjerët e detit pothuajse po shkojnë drejt niveleve minimale. Yjet e detit, iriqët e detit, kastravecët e detit por edhe grupe të tjera siç janë knedarët… Si rezultat i përdorimit të tratave, ato nuk janë dëmtuar jo vetëm në zonën e tyre të cilën ne e quajmë zona cirkalitorali, zonë që shkon mbi 40 metra thellësi, por edhe në zona të tjera të cilat janë më të cekëta”, thotë Shumka.
Profesor Shumka e konsideron gjithashtu shqetësuese gjuetinë e peshqve në madhësi shumë të vogël dhe apelon për më shumë kontroll ndaj operatorëve të peshkimit.