Ministria e Drejtësisë do të kërkojë ekstradim të Gruevskit për rastin e “27 Prillit”
Kërkesa për ekstradim të ish kryeministrit Nikolla Gruevski si organizator i ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill të vitit 2017-të këto ditë do të dërgohet në Budapest, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, njofton Portalb.mk.
“Dosja e plotë nga gjykata dhe Prokuroria ka arritur në Ministrinë e Drejtësisë në fund të javës së kaluar. Sot i nënshkrova dokumentet dhe këto ditë do të dërgohet në Budapest me qëllim që të kërkohet ekstradimi i Nikolla Gruevskit për ngjarjet e 27 Prillit”, deklaroi Deskoska.
- LEXO: U konstatua dorëheqja, Gruevski s’është deputet në Kuvendin e RMV-së
- LEXO: Kryeministri Zaev zbuloi detaje të reja: E dimë se si ka ikur Gruevski
Ndryshe, ish kryeministri dhe ish lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, më 13 nëntor të vitit 2019 u paraqit në rrjetin social Fejsbuk se e ka lëshuar Maqedoninë për shkak të kërcënimeve dhe ka kërkuar azil politik në Hungari. Njoftimi i Gruevskit erdhi pasi që MPB-ja lëshoi fletë-arrest. Përplasje ka mes shteteve se kush e ka ndihmuar Gruevskin për t’u arratisur në Hungari.
Reagime të shumta ka pasur në opinion e Maqedonisë dhe Hungarisë, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Shkuarja e Gruevskit në Budapest ka ardhur pas njoftimit të Gjykatës në Maqedoni që i njëjti të paraqitet në Burgun e Shuto Orizares për ta vuajtur dënimin me burg prej dy vjetësh në rastin “Tank” të prokurorisë Speciale Publike për furnizimin e mercedesit e vlerë pre rreth 600.000 euro.
Maqedonia kërkoi ekstradim, por Hungaria nuk i është përgjigjur kërkesës. Në ndërkohë edhe Interpoli ka refuzuar të publikojë fletë-arrest ndërkombëtar.