MAQEDONIA SHQIPTARE E JUSUF BUXHOVIT

“Maqedonia nga antika deri te koha jonë” është, pa dyshim, kryevepër historike, që vin të hedhë dritë mbi të shkuarën dhe të tashmen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Është fjala për librin e rrallë të Jusuf Buxhovit, të respektuar tani më edhe nga qarqet shkencore jashtë sinorit shqiptar, studimet e të cilit ua nxjerrin bojën manshtrimeve shekullore të pseudohistorianëve serbo-bullgaro-grekë, peng i të cilëve janë bërë edhe shumë historianë perëndimorë.

Me këtë vepër, autori e përcjell fatin e shqiptarëve të Maqedonisë (tani e Veriut): që nga antika e mesjeta – që nga periudha pellazgo-ilire, romake e bizantine; nëpër periudhën osmane dhe Skënderbejane; periudhën e Krizës lindore, Lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe Kongresit të Berlinit; periudhën e luftërave ballkanike, krizës së Maqedonisë dhe pushtetit xhonturk; periudhën e pavarësimit të Shqipërisë dhe Konferencës së Londrës; periudhën e pushtimit dhe kolonizimit serb të trojeve shqiptare dhe atë të Luftës së dytë botërore; periudhën e ripushtimit i trojeve shqiptare nga Jugosllavia titiste dhe periudhën e krijimit të shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991 gjer në konfliktin e vitit 2001.

Faktet që sjell autori janë të padiskutueshme dhe i takojnë historiografisë botërore, sipas së cilës, Maqedonia ishte pjesë dardano-ilire, me lidhje të forta edhe me pellazgët. Ajo, bashkë me Dardaninë dhe Epirin ishin mbretëritë më të rëndesishme të antikitetit në këto hapësira.

Të vërtetat e kësaj vepre të rrallë historike për të shkuarën e largët të Maqedonisë djep i shqiptarëve, përveçse u përgjigjen rrenave të historianëve albanofobë fqinj, njëkohësisht përmirësojnë edhe gabimin e pafalshëm të disa historianëve të shtetit Amë, që Maqedoninë e kundrojnë si pjesë sllave e greke.

Natyrisht, të vërtetat e kësaj vepre qortojnë edhe rehatinë  e klasës politike e intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë së sotme, të cilët pranuan heshtazi tebdilosjen e përnjëhershme të të maqedonasve në etni me rrënjë antike, duke luajtur rolin e kosmopolitëve, sipas të cilëve secili paska të drejtë ta quajë dhe konsiderojë veten ashtu si t’i teket. Në dallim prej nesh, Greqia dhe Bullgaria iu kundërvunë fuqishëm projektit gruevskian  Shkupi 2014, edhe përkundër të dhënës se pasojat e shtrembërimit të këtillë të historisë rënduan ekskluzivisht mbi shpinën tonë.

Ma merr mendja se kjo nuk do të ndodhte, sikur klasa politike dhe intelektuale shqiptare, në mungesë të veprave si kjo e Jusuf Buxhovit, me të dhëna historike për lidhjen tonë me Maqedoninë dhe maqedonasit antikë, të njihte të paktën shkrimet e Pjetër Bogdanit apo të vëllezërve Frashëri, që Maqedoninë dhe maqedonasit i konsideronin shqiptarë.

Në një rast të këtillë, kur imazhi ynë nuk do të ishte imazh fundbote, Serbia do të humbte pretekstin e pushtimit të trojeve tona, Maqedonia dhe kombi maqedonas nuk do të krijoheshin lehtë në vitin 1944, përkatësisht në vitin 1991, kurse ne nuk do ta humbnin pjesë të mëdha të 2 prej 4 vevilajeteve shqiptare, nuk do të zbrisnim në statusin e pakicës kombëtare njëzëtpërqindëshe, do të shmangnim shpërnguljen masive në shkterëtirat anadollake dhe asimilimin në pjesë të ndryshme të trojeve etnike, si puna e shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme.

Po sjell në vijim vetëm disa copëza nga veprat e titanëve të posapërmendur, duke nisur me Pjetër Bogdanin, i cili në parathënien e veprës monumentale “Çeta e profetëve”, të botuar në vitin 1685 dhe të shkruar shqip dhe italisht, e pa të arsyeshme t’u kërkojë ndjesë lexuesve italianë për lëshimet eventuale të përvjedhura në pjesën e shkruar italisht:

Nëse dielli i ka dangët e veta dhe drita hijet e veta; nëse qielli i ka shkërbat e veta, nuk të takon as ty, lexues, të befasohesh, po qe se, duke lexuar librin tim, gjen ndonjë gabim. Po të njoftoj, sa për t’u arsyetuar, se shtypshkronja nuk ka shkronja shqipe, kurse unë, duke qenë i lindur maqedonas, nuk arrita ta zotëroj italishten plotësisht...

E qartë: Bogdani e quan veten maqedonas, në kuptimin e arbëneshit (shqiptarit), sepse asokohe një krahinë e Shqipërisë veriore quhej: Maqedonia Perëndimore, emërtim ky i shfrytëzuar edhe prej dijetarëve të tjerë të së shkuarës.

Sami Frashëri – ky personalitet gjigant i shkencës dhe kulturës së shekullit XIX, veprat e nduarnduarshme të të cilit, në veçanti e futën në borxh shkencën dhe kulturën e shtetit Osman, në veprën programatike “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, ndërmjet tjerash shkroi:

Në të shtatët shekull të Krishtit…, Serbëtë mbushnë vëndet e veriut të Ilirisë… Edhe Bullgarëtë përzierë me Shqeh zunë Maqedoninë… Shqipëtarët’ e Maqedonisë u hoqnë n’anët të veriut e të perëndimit në malet të Shqipërisë… Me këtë mënyrë u nda nga Shqipëria gjysma e Ilirisë dhe gjysma e Maqedonisë dhe u bënë Shqehëri…

Edhe Naim Frashëri, në poezinë “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” , të botuar në greqishte, maqedonasit antikë i konsideron shqiptarë:

Maqedonët tjetër s’qenë veçse baballarët tanë.

Shumë shkronjës si Plutarku, Demosteni dhe Straboni

Me shokët e tyre thonë se ngahera kombi ynë

Ishte si dhe sot fisnik, trim, hyjnor, i madhërishëm.

Si dhe ne, ata po qenë shqipëtarë të kulluar…

Në veprën “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, autori ia kushton disa faqe edhe Kryengritjes së Dervish Carës, të heshtur në mënyrën më të pakuptueshme nga historiografia shqiptare, pa çka se ajo qe beteja antiosmane me shtrirjen më të madhe gjeografike (nga Struga deri në Vrajë…) dhe u bë kryesisht nga shqiptarët e këtyre trojeve, nga gegët e besimit musliman, siç shprehej Aleksandër Matkovski, historiani i parë, që shkroi një vepër të plotë për këtë kryenfgritje, e cila, për shkaqe që mund t’i merrni me mend, nuk u botua kurrë në gjuhën maqedonase.

Theksimi i kësaj beteje në veprën e Jusuf Buxhovit kushtuar Maqedonisë demanton keq mizërinë e pseudohistorianëve sllavë, që, me qëllime kubare, mohojnë autoktoninë tonë në këto troje. Kjo flet shumë për profilin e shkencëtarëve albanofobë, të cilët i shtang e vërteta e kryengritjes që mobilizoi dhjetëra mijëra burra dhe ndodhi pikërisht në shekullin dhe vitet (sh. XIX, 1843-1844), kur, sipas tyre, na sollën të tjerët në shtëpinë tonë. Kjo flet dhe për kapacitetin mendor të tyre, sepse një kryengritje e atyre përmasave nuk kishte mundësi të organizohej nga një popullatë ardhacake dhe e pakonsoliduar sa duhet brenda hapësirës së saj gjeografike. Ky moment është nokdaun vetëdijesues edhe për kolonën e pestë shqipfolëse, që pëllet prej vitesh për gjoja idilat ndërmjet pushtuesve dhe të pushtuarve, padronëve dhe hizmeqarëve, shtypësve dhe robërve, persekutorëve dhe viktimave… Të tillët duhet ta kuptojnë se me injorancën e tyre, në fakt pështyjnë varret dhe gjakun e stërgjyshërve, që nuk patën fatin të jetojnë si ne në shekullin e informacionit të gjithanshëm, por nuk i duruan fyerjet e dinjitetit, të cilat unë, ti, ne… i konsiderojmë kismet hyjnor.

Në fund të këtij shkrimi, që gjithsesi është i pamjaftueshëm për të shpërfaqur përmbajtjen e vëprës njëmijëfaqëshe “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, e them me bindje të plotë se, tash e tutje, ajo do të jetë bazament dhe pikë e domosdoshme reference për hulumtime edhe më të thelluara për periudhat historike, të shtjelluara nga Jusuf Buxhovi me pedantëri e rigorozitet akademik dhe me një gjuhë të pastër e të kuptueshme prej gjithkujt.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button