Përbërja e re e Parlamentit Evropian, si mund të jetë e ardhmja e Kosovës drejtë integrimit në BE (Infografik)

Rezultatet e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, sipas përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës kanë hequr dilemën e rrezikimit të projektit të Bashkimit Evropian për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor, njofton REL.

Kurse sipas analistëve të çështjeve të integrimeve evropiane, gjatë mandatit pesëvjeçar të këtij Parlamenti të sapo zgjedhur, nuk pritet që të ketë anëtarësim të ndonjë shteti të ri në Bashkimin Evropian.

Bazuar në rezultatet e para, partitë pro evropiane (Partia Popullore Evropiane dhe Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve) kanë fituar shumicën e ulëseve në Parlamentin Evropian.

Kështu ka ndryshuar shpërndarja e ulëseve në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2019
Kështu ka ndryshuar shpërndarja e ulëseve në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2019

Ministrja e Integrimeve Evropian në Qeverinë ë Kosovës, Dhurata Hoxha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se rezultatet e zgjedhjeve në Bashkimin Evropian tregojnë se Parlamenti nuk do ta ketë fuqinë vendimmarrëse, sikur përbërja e mëhershme që dominohej nga partitë popullore, pasi që siç thekson ajo, ‘është bërë realitet rritja e krahut euroskeptik në Itali dhe Francë’.

Megjithatë, ajo shton se votimet për Parlamentin Evropian, hoqën dilemën e rrezikimit të projektit të Bashkimit Evropian.

“Rritja e paralajmëruar e ekstremit të djathtë dhe euroskepticizmit, megjithatë nuk rrezikon projektin e zgjerimit, andaj, presim të ketë avancim të procesit. Procesi i zgjerimit, me shumicën pro-BE-së në Parlamentin Evropian, shpresojmë të sjellë afatet e përcaktuara kohore dhe heqjen e dyshimit për vlerën e integrimit evropian, duke marrë në konsideratë gatishmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e vlerave të BE-së”, thekson Hoxha.

Parlamenti Evropian përbën organin ligjvënës të BE-së. Ai përbëhet nga 751 deputetë, që zgjedhen drejtëpërdrejtë nga votuesit evropianë çdo pesë vjet.

Këta ligjvënës në Bruksel dhe Strasburg, përfaqësojnë interesat e qytetarëve të BE-së nga 28 vendet anëtare. Një nga rolet kryesore të Parlamentit është miratimi i ligjeve të propozuara nga Komisioni Evropian.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë, se nuk pritet që brenda këtij mandati të Parlamentit të ri evropian të këtë ndonjë vend anëtar të ri në BE.

“Maksimumin çka mund të presim është që Kosova të fitojë statusin e kandidatit në BE dhe kjo vetëm nëse tregohet më serioze në rrugën e saj drejt reformave evropiane. Serbia do të varet shumë nga pozicioni dhe arritja e marrëveshjes me Kosovën që eventualisht t’i afrohet edhe më shumë rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria dhe Maqedonia mund të hapin negociatat dhe të fillojnë negocimin e kapitujve. Pak a shumë ky është një rrumbullakim i përgjithshëm i zgjedhjeve”, thotë Kryeziu.

Ai shton se në zgjedhjet në Parlamentin Evropian populistët janë rritur, por siç thekson Kryeziu, nuk janë fuqi që do të diktojnë vendimmarrjen brenda BE-së, pasi që liberalët, demokratët, socialdemokrat dhe Partita Evropiane do të mbesin me 68 për qind të votave dhe të cilat janë pro konceptit që promovon Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button