Francë, dy të arrestuar për sulmin me bombë në Lion

Policia franceze ka arrestuar dy të dyshuar që lidhen me shpërthimin e së premtes në Lion, ku si pasojë mbetën të plagosur 13 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner, njoftoi për arrestimin e parë përmes llogarisë në Twitter, gjë të cilën më vonë e konfirmoi edhe prokuroria e Parisit e cila merret me të gjitha rastet e lidhura me terrorizmin.

Zyra e prokurorëve, më vonë njoftoi se është arrestuar edhe një tjetër i dyshuar.

Kryetari i bashkisë së Lionit, Gerard Collomb, ish-ministër i Brendshëm i Francës, tha se njëri nga të dyshuarit është student i IT-së, dhe se arrestimi i tij është bërë menjëherë pas daljes nga një autobus.

“Është një lehtësim për të gjithë banorët e Lionit, the tani besoj se çështja është zgjidhur”, deklaroi Collomb për televizionin BFM.

“Nëse ka një rrjet, ai tashmë është identifikuar dhe me siguri do të shpërbëhet”, shtoi më tej Collomb.

Policia nisi të premten një kërkim gjithëpërfshirës, pasi paraprakisht, një pajisje shpërtheu në një zonë këmbësorësh në Lion. Autoritetet thanë se 13 të plagosurit kishin pësuar lëndime të vogla.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, shpërthimin e quajti “sulm”, megjithatë ende asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë, ndërkohë që autoritetet kanë nisur një hetim për “vrasje në tentativë që lidhet me veprim terrorist” dhe “shoqërim kriminal terrorist”.

Javën e kaluar, prokurori francez kundër terrorizmit, Remy Heitz, publikoi një video nga mbikëqyrja, në të cilën shfaqet një i dyshuar duke ecur të premten pasdite drejt qendrës së Lionit në një biçikletë. Njeriu shihet në këmbë, duke e shtyrë biçikletën e tij përgjatë një rruge këmbësorësh, pastaj lë një qese letre pranë një furrë buke.

Pas kësaj i dyshuari kthehet te biçikleta e tij dhe largohet nga e njëjta rrugë. Një minutë më vonë, shpërthimi shkatërroi xhamin e një frigoriferi brenda në furrë, tha Heitz.

Mbetet e paqartë nëse i dyshuari i arrestuar sot është personi i njëjtë nga video, edhe pse Collomb tha se studenti i ndaluar, është identifikuar falë video mbikëqyrjes.

Hetuesit në vendngjarje gjetën vida, kushineta, bateri, një pajisje që përdoret nga distanca dhe copa plastike që mund të kishin ardhur nga pajisja shpërthyese.

Viteve të fundit Franca është goditur nga një sërë sulmesh, disa nga të cilat vdekjeprurëse, të kryera nga njerëz ekstremistë ose individë mendërisht të paqëndrueshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button