Asaf Ademi ka dhënë dorëheqje, Zaevi e falënderoi dhe tha se ka disa emra për zëvendësim (VIDEO)

Ministri i deritashëm i Kulturës, Asaf Ademi, radhë e partisë shqiptare Alternativa, sot ka kumtuar dorëheqjen e tij, për siç tha ai, për shkak të problemeve shëndetësore. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Zoran Zaev tha se ka në dispozicion disa emra për zëvendësim të Ademit, por nuk ishte preciz nëse ky dikaster do t’i takojë edhe më tej Alternativës, transmeton Portalb.mk.

“Në mbledhjen e kryesisë Qendrore të partisë, që u mbajt më 21 prill 2019-të, kam dorëzuar kërkesën për dorëheqje në parti. Kryesia e pranoi, por për shkak se ishin zgjedhjet, vendosëm që këtë ta publikojmë pas zgjedhjeve presidenciale”, tha Ademi i  cili si shkak e paraqiti problemet shëndetësore.

Sa i takon asaj se kush do të udhëheqë me këtë dikaster, dhe se dorëheqja e tij a është edhe largim i Alternativës nga Qeveria, Ademi njoftoi se mes liderit të partisë, Afrim Gashi dhe kryeministrit Zoran Zaev, do të zhvillohen takime për emrin e ri të mundshëm.

“Ne mbetemi në Qeveri dhe Ministria e Kulturës i mbetet Alternativën. Sigurisht se Afrim Gashi do të takohet me kryeministrin, dhe do të vendosin se çfarë do të ndodh”, tha Ademi.

Komisioni për Parandalim të Korrupsionit ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë mënyrën e realizimit të Programit Vjetor të vitit 2018-të, në lidhje me këtë Ademi tha se do të jetë i gatshëm të dëshmojë, dhe se nuk ik.

Paraprakisht, kryeministri Zoran Zaev në konferencë për media ka njoftuar se Asaf Ademi dorëheqjen e ka paralajmëruar qysh para 6 muajsh, por kërkesë e tij ka qenë që të kalojnë zgjedhjet presidenciale.

Zaevi falënderoi Ademin për angazhimin e tij: “Do ta shfrytëzoj rastin që personalisht t’i falënderohem për angazhimin e tij”.

Kryeministri Zoran Zaev, foto: Borçe Popovski, "Kolektif.mk"
Kryeministri Zoran Zaev, foto: Borçe Popovski, “Kolektif.mk”

Zaevi gjithashtu tha se ka në dispozicion disa emra, por nuk dëshiron t’i bëj publike.

“Sot pres dorëheqjen e ministri të Kulturës, ai ka paralajmëruar dorëheqjen para 6 muajsh. Ka probleme shëndetësore njeriu, donte që para Programit të japë dorëheqje, por e dini se kishte dilema se nëse do të shkohet edhe në zgjedhje parlamentare bashkë me presidenciale, për mu si mandator e udhës ishte të priteshin zgjedhjet. Unë kam mirëkuptim edhe për gjendjen shëndetësore, edhe për qëndrimin e tij personal. Në mëngjes më tregoi se do të mbajë konferencë, për detajet, dhe unë besoj se kjo do të jetë edhe një vend i zbrazur për reformim të qeverisë”, tha Zaevi.
“Varet nga kuadrot, nuk dihet se cilës parti do t’i takojë”, Zaevi.

LEXO: Resori i kulturës t’i takojë një shqiptari, pse kaq shumë reagime?

Ademi që nga emërimi i tij u ndesh me kritika nga publiku maqedonas, të cilët siç shpreheshin, ishin kundër që Kultura të jetë “kurban i pazareve politike”.  Megjithatë, se kritika kishte të bënte me përkatësinë etnike të Ademit, tregoi edhe procesi pas publikimit të Programit Vjetor 2019, i cili nga mediat maqedonase u cilësua si skandaloz. Kjo dërgoi deri te rishqyrtimi i programeve vjetore dhe për ridestimin të mjeteve të mbetura për projekte të caktuara të kulturës maqedonase. Por nuk mjaftoi vetëm kjo, edhe Komisioni për Kulturë në Kuvendin e RMV-së nisi procedurë për shqyrtim të të njëjtit, ndërkaq Komisioni për Parandalim të Korrupsionit paralajmëroi nisje të procedurës. 

Përndryshe, Asaf Ademi u emërua si ministër i Kulturës më 1 qershor 2017, si rezultat i ristrukturimit të Qeverisë së Maqedonisë, kur Alternativa, atëherë si fraksion i Lëvizjes BESA me kryetar Afrim Gashi, u bënë pjesë e përbërjes qeveritare. Si “shpërblim” për besimin e tre deputetëve, që iu bashkuan shumicës parlamentare, BESA mori Ministrinë e Kulturës, të cilën, nga qershori i 2017-s, e udhëhoqi Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, me Robert Allagjozovskin.

Përskaj BESA-s, me ristrukturimin e qeverisë, pjesë e shumicës parlamentare janë bërë edhe PDSH-ja, me kryetar Menduh Thaçi, dhe Lidhja e Romëve ku kryetar është ish partneri VMRO-DPMNE-së, Amdi Bajram.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button