Poliklinika e Sarajit, në korrik do të fillojnë punimet për ndërtimin e objektit (FOTO-VIDEO)

Sot në Saraj është prezantuar projekti për ndërtimin e Poliklinikës së Sarajit, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 40 milionë denarë me buxhetin e vitit 2019-të. Objekti do të jetë afër shkollës së mesme “Saraj”, do të ketë objekt me 150 mijë metra katror, me hapësirë shtrirjeje prej 30 mijë metra katror. Tenderi për nisjen e punimeve do të hapet pas zgjedhjeve presidenciale, ndërkaq për kohëzgjatjen e punimeve u tha se është herët të flitet, transmeton Portalb.mk.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Asim Musa njoftoi se punimet për ndërtimin e objektit do të fillojnë gjatë periudhës kohore, muajt korrik – gusht.

“Ministria e Shëndetësisë e ka kompletuar dokumentacionin në lidhje me poliklinikën e Sarajit. I themi kryetarit se projekti për Poliklinikën e Bit Pazarit, si projekt prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, janë ndarë mjete edhe me buxhetin e vitit 2019-të, në vlerë prej 40 milionë denarë”, tha Musa, i cili shtoi se “diku ka vera, korrik – gusht mund të fillojmë me punimet”.

Bexheti dhe Musa. Ndërtimi i Poliklinikës së Sarajit. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk”

Kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti sqaroi se obligim i Komunës së Sarajit është që ta japë lejen për ndërtim të Poliklinikës, pasi që Ministria e Shëndetësisë ta kërkojë të njëjtën. Deri tash Ministria nuk ka kërkuar leje për ndërtim.

“Do të vazhdojmë me aktivitetet e mëtutjeshme, që së shpejti të nënshkruajmë edhe lejen për ndërtim pas aplikimit që do ta bëj Ministria e Shëndetësisë. Duke pasur parasysh ndalesat sipas Kodi Zgjedhor, që jemi në prag të zgjedhjeve presidenciale, sigurisht se të gjitha procedurat tjera ligjore që duhet të ndërmerren, duhet t’i ndjekë Ministria e Shëndetësisë, si shpallja publike për ndërtimin, duhet të bëhet pas zgjedhjeve”, tha Bexheti.

Hapësira ku do të ndërtohet objekti i Poliklinikës së Sarajit. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk”
Hapësira ku do të ndërtohet parkingu i Poliklinikës së Sarajit. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk”

Poliklinika e Sarajit do të jetë nën kompetencë të Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, do të ketë shërbime të Mjekësisë Preventive, të Stomatologjisë, të Vaksinimit, të Kontrolleve Sistematike, të Kujdestarisë, të Ndihmës së Shpejtë, Laboratorike, të Diagnostikimit Rëntgen, të Mjekësisë Specialistike, të Mjekësisë Interne dhe të Fizioterapisë.  

Bexheti, Musa dhe Koka. Ndërtimi i Poliklinikës së Sarajit. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk

Drejtori ekonomik i Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, Besim Koka sqaroi se përgjegjës për mirëmbajtjen dhe punësimet që do të realizohen në këtë Poliklinikë, do të jetë Shtëpia e Shëndetit të Shkupit, por me pëlqim paraprak të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Do të jetë nën ombrellën e Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, sikurse të gjitha poliklinikat tjera, dhe ne do të jemi përgjegjës për mirëmbajtjen dhe organizimin e punës”, tha Koka.

Nuk u dha premtim se sa do të zgjatin punimet për ndërtimin e objektit të Poliklinikës.

“Herët është të flitet se sa do të zgjatin punimet”, tha Musa dhe Bexheti.

Përndryshe, kjo do të jetë Poliklinika e parë e Sarajt, e cila ka 23 vendbanime, të shtrira në hapësirë territoriale prej 229 kilometra katror, dhe me mbi 42 mijë banorë.

Ndërtimi i Poliklinikës së Sarajit. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button