Aksidenti tragjik, Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë reaguar për fjalorin e profesoreshës

“Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk”, ky është publikimi në Fejsbuk i profesoreshës universitare e njohur për qëndrimet e saja nacionaliste, Biljana Vankovska, pas aksidentit të djeshëm tragjik ku si pasojë e daljes nga autostrada të një autobusi, humbën jetë 14 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
Qëndrimi i saj shkaktoi uragan të reagimeve për shkak të urrejtjes që përcolli pasi që aksidentin tragjik, profesoresha e ka lidhur me ngjarjen e konfliktit të vitit 2001, kur formacionet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtarë në grykën malore Karpallëk, në rrugën Tetovë-Shkup, e sulmuan një autokolonë të Armatës së Maqedonisë dhe vranë dhjetë ushtarë, shkruan Portalb.mk.

Megjithatë, edhe pse informatat e para ishin se aksidenti ka ndodhur në Karpallëk, më pas u mësua se i njëjti ka ndodhur rreth 3-4 kilometra larg këtij vendi, gjegjësisht në afërsi të fshatit Llaskarcë.

Portalb.mk e ka paraqitur rastin në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Statusi i Biljana Vankovskës
Statusi i Biljana Vankovskës

Për deklaratën ka reaguar menjëherë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi duke kërkuar që organet kompetente, por edhe bota akademike menjëherë të reagojnë për rastin në fjalë.

“Si njeri, si prind, si profesor, si ministër jam i shokuar nga një pseudo përfaqësuese e komunitetit akademik që në thelb duhet të jetë bashkësia më e ngritur dhe kohezive e një shoqërie, posaçërisht atyre multietnike siç është shoqëria jonë. Dënoj çdo deklaratë që mbjell urrejtje dhe nxitje e cila në këto momente të vështira tragjedie nuk sjell asgjë tjetër përveçse përçarje të reja! Përgjegjësia duhet të pasojë pa asnjë vonesë dhe pres nga universiteti dhe bota akademike që të reagojnë. Ngushëllime viktimave, shqiptarë, maqedonas dhe të tjerë, sonte ndajmë dhimbjen me familjarët e tyre”, ka shkruar ministri Ademi.

Portalb.mk, ka kontaktuar edhe me Prokurorinë edhe Policinë, nëse kanë nisur procedurë për profesoreshën e cila ligjëron në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, por të njëjtët nuk japin detaje, por vetëm thonë se kanë ndërmarrë masa përkatëse. Nga kontaktet me dy institucionet, ata treguan se MPB ende s’ka dorëzuar padi penale kundër Vankovskës, ndërkaq Prokuroria ende nuk ka hapur lëndë.

“Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale me Prokurorinë Themelore Publike kanë ndërmarrë masa përkatëse dhe aktivitete në lidhje me këtë rast”, thonë për Portalb.mk, nga MPB, duke mos treguar nëse profesoreshën e kanë ftuar në bisedë informative.

“Deri në këtë moment Policia nuk ka dorëzuar padi për profesoreshën, ne e kemi njoftuar sektorin përkatës për këtë rast dhe presim përgjigje në lidhje me të njëjtën”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësja e Prokurorisë, Elizabeta Nedanovska, duke premtuar se do të informojë nëse do të hapet ose s’do të hapet procedurë për profesoreshën.

Pas reagimeve të shumta për statusin kontrovers Vankovska e ka fshirë të njëjtin nga rrjeti social Fejsbuk, ndërkaq qytetarët nuk rreshtin duke i shkruar komente nëpër statuset tjera në të cilat arsyetohet se nuk  ka pasur për qëllim që me atë qëndrim “t’i gëzohet fatkeqësisë”.

Ndryshe, gjuha e urrejtjes apo nxitja e gjuhës së urrejtjes, edhe pse është vepër penale në Maqedoni, ndër vite nuk është dënuar. Prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes.  Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste.

Por, pas ndërrimit të pushtetit, autoritetet kanë filluar që të merren më seriozisht me këtë çështje.  Për rast të ngjashëm sikur të Vankovskës, Prokuroria më 19 tetor të vitit 2018-të dorëzoi padi penale kundër gazetarit Milenko Nedellkovski, për vepër penale përhapje të informacioneve raciste dhe ksenofobisë në internet.  Nedellkovski, në profilin e tij publik në një rrjet social botoi një koment me rastin e  rastin e zjarrit në gadishullin grek Attica, ku kishte edhe viktima njerëzore. Në të njëjtën kohë, komenti nxiti urrejtjen për një grup të caktuar etnik – grekë, të cilët u prekën nga zjarri shkatërrues.

Sipas Kodit Penal, për vepër penale përhapje të informacioneve raciste dhe ksenofobisë në internet parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button