Maqedoni, ata që do të kryejnë vepra penale nga urrejtja do të dënohen më ashpër

Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë pritet që të ndryshohet në 31 nene, me qëllim që krimet e kryera nga urrejtja të jenë më të dukshme, gjegjësisht personat që do t’i kryejnë veprat penale si pasojë nga urrejtja do të dënohen më rreptësisht, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Drejtësisë pas shqyrtimit publik 20 ditor, e ka dorëzuar propozim-ligjin e ri për krime nga urrejtja në Qeveri, ndërkaq pritet që javën e ardhshme kjo e fundit ta miratojë dhe ta dorëzojë në Kuvend për procedurë të mëtutjeshme.

Me këtë propozim Ministria e Drejtësisë nuk parasheh që të bëjë ndryshime ligjore për gjuhën e urrejtjes e cila është vepër penale e dënueshme, por vetëm për veprat që kryhen si rezultat i urrejtjes.

“Ky ligj bazohet në të njëjtat parime në të cilat bazohet Kodi Penal. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është të ndryshohet dhe plotësohet Kodi Penal dhe të ngritet dukshmëria e veprave të urrejtjes duke përshkruar definicion ligjor të atij termi dhe duke parashikuar forma të veçanta të veprave penale nga urrejtja në Pjesën e veçantë, që në përputhje me parimet e legalitetit do t’i obligojë organet e rendit t’i zbulojë, konstatojë dhe procesuojë veprat e tilla”, thuhet në sqarimin e propozim-ligjit.

Sa janë ndëshkuar ata që kanë kryer krime si rezultat i urrejtjes

Sipas raportit të OSBE/ODIHR-së, Maqedonia nuk ka regjistruar kurrfarë të dhënash për zyrtare për zbulimin, ndjekjen dhe dënimin e kryerësve të veprave nga urrejtja. Evidentim kryen vetëm Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Sipas të dhënave të publikuara në ueb-platformën e tyre, “www.zlostorstvaodomraza.com”, në periudhën prej shkurtit të vitit 2013 deri më 30 shtator të vitit 2018, janë regjistruar 464 incidente.

Në të gjitha vitet, këto incidente më së shumti janë kryer në Shkup. Veprat penale përfshijnë “lëndime të rënda trupore”, “dhunë”, “rrezikim të sigurisë”, “dëmtim të objekteve të huaja” dhe të tjera.

Numri i krimeve nga urrejtja në Maqedoni, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

Numri i krimeve nga urrejtja në Maqedoni, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e NjeriutHartën në formë interaktive mund ta shihni: KËTU

Por numrat zyrtar, si për rastet e gjuhës së urrejtjes, ashtu edhe për veprat penale të kryera si rezultat nga urrejtja, janë larg realitetit. Gjegjësisht në vitin 2015, policia ka paraqitur 5 raste dhe për 3 është ngritur akuzë, ndërkaq dy prej tyre janë dënuar, ndërkaq në vitin 2016-të, ka vetëm dy të paraqitur nga policia dhe asnjë të dënuar.

Çfarë konkretisht parasheh ligji?

Sipas asaj që mund të shihet, propozohet që në disa nene të Kodit Penal të ndërhyhet duke plotësuar ose shtuar dispozita të reja ligjore, me të cilat, autoritetet gjyqësore gjatë marrjes së vendimit për shqiptimin e gjobave, ta kenë më të qartë dhe më precize çështjen e motivit të veprës penale, nëse është e njëjta është kryer si pasojë nga urrejtja.

Disa shembuj ku kërkohet ndërhyrja:

Kuptimi i shprehjeve të Kodit Penal, neni 122

Duhet të shtohet paragrafi 41: Si akt nga urrejtja vlerësohet vepra penale kundër personit fizik ose juridik, e cila është kryer plotësisht ose pjesërisht për shkak lidhjes ose karakteristikës reale ose të paramenduar të personit që ka të bëjë me ngjyrën e lëkurës, nacionalitetin, prejardhjen etnike, religjionin ose besimin, pengesës mentale ose trupore, gjinisë, identitetin gjinor, orientimin seksual dhe përcaktimin politik”.

Kodi Penal i Maqedonisë
Kodi Penal i Maqedonisë

Propozimet parashohin që në veprat penale “urrejtja” të bëhet pjesë e paragrafëve ose të shkruhet si paragraf i ri, në kategorizimin e veprës penale dhe shqiptimin e masës së dënimit.

Vepra penale vrasje, sipas nenit 123

Duhet të bëhet ndryshim në paragrafin dy, pikën katër, ku prej tani do të precizohet nëse vrasja është bërë për shkak “urrejtjes”.

Kjo nënkupton se ai që do të vret për shkak të urrejtjes do të dënohet me dënim prej 10 deri në burg të përjetshëm, apo do të jetë i barabartë me atë që vret “gjatë dhunës në familje”, “me paramendim dhe rrezikon jetën e një personi tjetër”, “hakmarrje”, ai që vret “person të mitur”, “grua shtatzënë”, “gjymëtar, prokuror apo avokat gjatë kryerjes së detyrës” dhe “ushtarak dhe polic gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Vepra penale lëndim trupor sipas nenit 130

Duhet të shtohet një paragraf i ri me qëllim që të përfshihet edhe motivi i “urrejtjes” për shkaktimin e kësaj vepre penale.

“Me dënim me para ose me burg prej gjashtë muaj deri në 3 vjet do të dënohet ai i cili një person do ta lëndojë ose do ta dëmtojë shëndetin e një personi për shkak të urrejtjes.

Në të njëjtën mënyrë do të intervenohet edhe në nenet e Kodit Penal për veprat: detyrim me forcë apo kërcënim serioz për kryejnë e një vepre të caktuar, kidnapim apo privim nga liria në mënyrë të kundërligjshme, rrezikim të sigurisë, përdhunim, vjedhje, shkatërrim të objekteve të huaja, dhunë, mosdhënie të ndihmës mjekësore etj.

Propozim-ligjin e plotë mund ta lexoni: KËTU

Përgatitja e këtyre dispozitave është bërë me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Shkup, gjegjësisht është formuar një grup pune nga institucionet gjyqësore, ASHAM, disa ministri përkatëse dhe shoqëria civile. Grupi punues gjithashtu ka hartuar edhe analiza të aplikimit të dispozitave të Kodit Penal për veprat penale nga urrejtja në shtetet e huaja, për përvoja krahasuese dhe për nevoja të ndryshimit të Kodit Penal.

Për realizimin e këtij ligji, parashihen mjete financiare për trajnim të gjykatësve dhe prokurorëve publik dhe të njëjtat do të sigurohen nga Buxheti i Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik, në kornizë të programit për trajnim të vazhdueshëm.

Më poshtë, Portalb.mk ju sjell fjalor shpjegues për veprën penale të kryer nga urrejtja:

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button