Gostivari në zi

Dje pasdite një tragjedi e tmerrshme goditi Gostivarin, na goditi të gjithë ne. Katërmbëdhjetë jetë të humbura në një aksident rrugor dhe me dhjetëra të plagosur. Humbje e madhe dhe tragjike, një moment i vetëm që na tregon sa shpejt një ditë e zakonshme, një rutinë e përditshme e të ardhurit nga puna, mund të shndërohet në katastrofë. Sa e brishtë është jeta e njeriut, sa shpejt dhe pa paralajmërim përfudnon në një moment nga më të zakonshmit, nga më të përditshmit. Në këto momente zije është ende e pakuptimtë të flitet për shkaqet kur pasojat janë ende duke u numëruar. Në këto momente gjithçka që mund të ndjehet është një dhimbje e thellë dhe e pafund për këtë humbje të madhe.

Dhe megjthatë në një moment si ky, dikush që e quan vehten profesor universitar arriti të shikonte ironinë e fatit dhe të bëjë paralele mes gjërave që nuk krahasohen e as që ka kuptim të krahasohen. Çdo humbje jete është tragjedi në vehte që kërkon ngushëllim. Të arrish të irritosh gjithë shtetin me një koment si “Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk” duhet vërtet të jesh qenie e pandjeshme e cila në çdo moment kërkon të përmbushë vetëm dëshirën e vetë të sëmurë për hakmarrje. Dhe që është me e keqja, ajo që i thotë vehtes profesoreshë universitare, nuk arrin as ta shikojë gabimin e bërë, kjo për shkak se ajo nuk konsideron që ka bërë gabim në rradhë të parë por vazhdon të komentojë më tej rastin duke u mishëruar me rolin e viktimës, duke u ankuar për kërcënimet që po i merka dhe për urrejtjen që shpreheshka ndaj saj. Një profesoreshë universitare është përgjegjëse për fjalët që i thotë e i shkruan, mban përgjegjësi për to sepse ato janë arma e saj që mund të përdoret për të mirë ose për të keq, për të mobilizuar apo për të qetësuar masën e gjerë që tek një intelektual sheh njeriun që di pak më shumë, që është pak më i përgjegjshëm e që i sheh gjërat pak më larg. Prandaj fjala e një njeriu të mësuar ka përgjegjësinë e vetë. Kur një profesore universitare me një koment të papërshtatshëm dhe të pandjeshëm arrin të mbjellë urrejtje dhe për këtë të përkrahet moralisht nga heshtja e shumë kolegëve tjerë të saj, kjo vërtetë është një situatë për të ardhur keq. Mbi të gjitha është një situatë e mbjelljes së urrejtjes që përfundimisht duhet trajtuar seriozisht nga organet shtetërore, por edhe nga udhëheqësia e universitetit ku ajo punon. Deri kur një universitet do të tolerojë mbjelljen e urrejtjes dhe shovinizmit nga profesorët e tij? Universitetet duhet të jenë mjedise që bashkojnë intelektualët me ide përparimtare dhe jo vende ku mbillet urrejtja dhe mosdurimi ndëretnik.

Përkundër cilësimit të zonjës Vankovska e cila këtë ngjarje e lidhi me Karpallëkun e vitit 2001, tragjedia nuk ndodhi aty në një lokacion tjetër, në afërsi të fshatit Llaskarcë. Qytetarët dhe kalimtarët e rastit u solidarizuan dhe dhanë ndihmën e tyre maksimale për viktimat. Institucionet shtetërore, zjarrfikësit dhe spitalet e ndryshme u munduan të japin ndihmën maksimale për shpëtimin e të lënduarve. Si që thashë edhe më lartë, në këto momente ende nuk mund të vlerësohet fotografia e tërë ngjarjes, të përcaktohen shkaqet e të kërkohet përgjegjësi eventuale. Në këto momente vetëm dhimbja është e ndjshme, dhe solidariteti. Solidariteti i të gjithë atyre njerëzve që jetojnë afër spitalit kryesor e që shkruajtën haptazi mbrëmë në rrjetet sociale duke ofruar mundësi për të afërmit e të lënduarve të qëndrojnë në banesat e tyre. Ky është solidariteti i vërtetë që në një humbje kaq të madhe arrin ta ndjejë dhimbjen e atyre që kanë pësuar më së shumti dhe të bëjë atë që mundet për t’i ndihmuar. Ky është solidariteti i vërtetë që në një ditë si kjo në një autobus si ai, arrin të shohë vetëm humbje jetësh dhe jo vrasje shqiptarësh apo maqedonasish.

Sepse pavarësish ngjyrës së lëkurës apo etnitetit, gjaku i të gjithë njerëzve derdhet në të njejtën ngjyrë.

Ngushëllime të sinqerta të gjithëve që përjetuan humbje në këtë tragjedi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button