Opozita shqiptare premton se do ta përmirësojë emërtimin e gabuar të nënshtetësisë “Maqedonisë”

Në procesin e përshtatjes së ligjeve me ndryshimet kushtetuese, partitë opozitare shqiptare premtojnë se do të angazhohen që të përmirësohet emërimi i nënshtetësisë nga “Maqedonia” në “E Maqedonisë”, ashtu siç rekomandojnë albanologët dhe ekspertët, njofton Portalb.mk.

Flakron Bexheti
Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët

Partitë opozitare shqiptare thonë se do t’i marrin parasysh vërejtjet e albanologëve dhe ekspertëve që të korrigjohet gabimi gjatë përkthimit të nënshtetësisë nga “Makedonsko” në “Maqedonisë.

“Do të insistojmë që në fazën  e ndryshimeve ligjore te dokumentet e udhëtimit të inkorporojmë përkthimin adekuat të kësaj çështje duke i marrë parasysh sugjerimet e ekspertëve dhe albanologët të cilët janë më kompetentë për çështjen e gjuhës standarde shqipe”, thotë për Portalb.mk Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Në po të njëjtën linjë janë edhe nga Lëvizja BESA me kryetar, Afrim Gashin, të cilët thonë se është i drejtë reagimi i albanologëve dhe se duhet që e njëjta të përmirësohet.

Orhan Murtezani
Orhan Murtezani

“Posesiviteti në kuptim të shtetësisë në këtë rast implikon një përzierje mes përkatësisë shtetërore dhe etnike, andaj edhe ne konsiderojmë se shqipërimi i saktë duhet të jetë “E Maqedonisë”. Angazhimi jonë është që të mos bëhen ngatërrime të tilla, siç jemi angazhuar edhe që përkthimi i “Severna Makedonija” të mos bëhet me mbiemrin “Veriore”, por me emrin e gjinores “e Veriut”. Prandaj e përshëndesim edhe angazhimin e ekspertëve dhe i inkurajojmë të vazhdojnë t’i ndjekin këto zhvillime kaq të rëndësishme për të gjithë ne”, thotë Orhan Murtezani

Arjanit Hoxha
Arjanit Hoxha

Nga Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin, thonë se në kohën e duhur do të konsultohet ekspertët, por qëndrimi i tyre është që të mos emërohet nënshtetësia në shqip “maqedonase”.

“Kur do të bëhet përshtatja e ligjeve me ndryshimet kushtetuese me siguri që do të konsultohen profesionistë të lëmisë përkatëse. Nga aspekti politik ne kemi vendosur kornizat se nuk do të lejojmë që të jetë përkthim (pasi që e dimë se përkthimi do ta bënte “maqedonase””, thotë Arjanit Hoxha.

Portalb.mk ka tentuar të kontaktojë edhe BDI-në, për ta komentuar të njëjtën, por nga kjo parti nuk i janë përgjigjur porosisë sonë.

Nga LSDM-ja, thonë se janë të hapur që të bëhen ndryshime në pjesët ku janë bërë lëshime, por të njëjtat do të shikohen pasi që të miratohet Marrëveshja e Prespës në Kuvendin e Greqisë.

“Presim që të kthehet kryeministri Zoran Zaev nga pushimi dhe më pas do të duhet drejtpërdrejt me të për këtë çështje. Na vjen mirë që kanë reaguar albanologët, njëherë le të miratohet Marrëveshja e Prespës në Greqi, pastaj do të shohim. Gjithsesi se ka mundësi të rregullohet kjo çështje”, thonë për Portalb.mk nga LSDM.

Ndryshimi i Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit, bëhet me shumicë të thjeshtë, gjegjësisht prej 61 votave.

Ndryshe, emërtimi i nënshtetësisë në shqip, ka shkaktuar reagim te ekspertët dhe albanologët duke e pasur parasysh që gjatë përkthimit nga maqedonishtja në shqip nuk janë respektuar rregullat e gjuhës shqipe dhe sipas tyre “Makedonsko” është dashur të përkthehet në “E Maqedonisë” dhe jo sikur ka qenë deri më tani dhe tani vetëm e kanë trashëguar “Maqedonisë”.

Brenda pesë vitesh ose më së voni deri më 2024, në dokumentet personale të qytetarëve do të qëndrojë emri i ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Me amendamentet e reja në këto dokumentet do të shënohet edhe përkatësia etnike e komuniteteve pakicë në vend.
Letërnjoftimet dhe pasaportat e reja, si dhe shenjat e targat e reja për automjetet e tyre qytetarët do të duhet t’i marrin më së voni brenda pesë vitesh, pas ratifikimit të Marrëveshjes për emrin të Parlamentit grek, pasi që Kuvendi i Maqedonisë paraprakisht i miratoi ndryshimet kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button