Ditë historike! Kuvendi i Maqedonisë dha dritë jeshile për ndryshimin e emrit të shtetit
Pas një beteje të gjatë dhe të lodhshme, me shumë situata të panjohura që nga qershori i vitit 2018 kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, sonte më në fund Kuvendi i Maqedonisë dha dritë jeshile për ndryshimin e emrit të shtetit. U miratuan katër amandamentet që ndryshuan Kushtetutën e vendit dhe kur të hyjnë në fuqi, shteti do të quhet “Maqedonia e Veriut”.
Ky akt, Maqedonisë i siguron antarësim në NATO dhe datë bisedimesh me Bashkimin Evropian.
19:00 : Me 81 vota “për” është votuar edhe Ligji Kushtetues për zbatimin e amendamenteve. me këtë votim, zyrtarisht mbaron procesi për ndryshimet kushtetuese, njofton Portalb.mk.
Vijon, propozim-ligj Kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
18:45: Me nga 81 vota “për”, Kuvendi i Maqedonisë i ka verifikuar një nga një katër amendamentet për ndryshimet kushtetuese që parashihen me Marrëveshjen e Prespës dhe më pas i ka shpallur .
18:36: Kuvendi i Maqedonisë i ka verifikuar katër amendamentet për ndryshimet kushtetuese që parashihen me Marrëveshjen e Prespës, njofton Portalb.mk.
18.00 – Ish deputetja e VMRO-së dhe ministrja e kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska në fjalimin e saj tha se VMRO-DPMNE është parti me patriotizëm të rremë dhe se kjo parti vetëm me fjalë lufton për të mirën e vendit.
Ajo tha se shpreson se VMRO-ja do t’i përmirësojë gabimet.
17.50. Filloi seanca. VMRO-DPMNE nuk merr pjesë në të. Diskutohet për pikën e parë:
1. Përcaktim i Propozim-amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
17.40 – Deputetët mblidhen në sallë, në çdo moment pritet të fillojë seanca parlamentare për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni.
17.20 – Arianit Hoxha tha se nga 4 amandamentet e propozuara, janë pranuar 2.
“Është pranuar të shkruhen shqiptarët si diasporë. E dyta, në Ligjin Kushtetues kemi gjetur një formulim që garanton përdorimin e nënshtetësisë në gjuhën shqipe e cila do të jetë në të gjitha dokumentet e shqiptarëve ” Maqedonisë / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo do të implementohet në të pesë ligjet ” tha mes tjerash ai.
17.00 – Deputetja Emilia Aleksandrova nga grupi i 8 deputetëve të pavarur të dalë nga VMRO-ja thanë se marrëveshja Kasami-Sela është e pranueshme dhe se do të votojnë PËR.
16.00- Portalb.mk ju sjell kumtesën e përbashkët e Qeverisë dhe Lëvizjes BESA me kryetar Kasamin, pas arritjes së marrëveshjes për ndryshimet kushtetuese.
“Është arritur marrëveshje me anë të së cilit janë tejkaluar dallimet për të cilat informuam se ekzistojnë.
Edhe njëherë konfirmojmë se nënshtetësia është maqedonase / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa është pranuar amendamenti në Ligjin e Kushtetutës me të cilin vërtetohet se nënshtetësia është maqedonase / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut ndërsa qartësohet se si e njëjta do të shkruhet për shqiptarët e Maqedonisë, në gjuhën shqipe në të gjitha ligjet ku kjo nevojitet të shkruhet.
Njëkohësisht, është pranuar edhe amendamenti XXXVI me anë të së cilit vërtetohet se Republika e Maqedonisë në mënyrë të barabartë kujdesët për diasporën e banorvet të saj.
Në mënyrë plotësuese në Ligjin për letërnjoftimet do të shkruhet edhe përkatësia etnike e banorëve.
Të gjitha propozimet e tjera që ishin në formë të amendamente do të tërhiqen sepse formalisht nuk është e mundur tani të realizohen, ndërsa mbetemi të përkushtuar që në të ardhmen të punojmë në zgjidhjen e tyre me qëllim që ti largojmë kërko lloj probleme me të cilat ballafaqohen banorët, për të arritur së bashku vlerat e përbashkëta evropiane.”
15.45 – Është arritur marrëveshja mes kryeministrit dhe liderit të partisë në pushtet LSDM, Zoran Zaev dhe liderit të njërit krah të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, lajmëroi deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, njofton Portalb.mk.
Ende nuk dihet kur do të mbahet seanca për ndryshimet kushtetuese, tani që ka shumicë absolute prej 80 deputetëve.
Kostadinov mes tjerash tha se lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski do të mbahet mend si personi që ka penguar aderimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
15.00- Seanca është shtyrë sërish, për më vonë. Kryeministri Zaev dhe Bilall Kasami i krahut të Lëvizjes Besa po zhvillojnë negociata dhe ende nuk ka marrëveshje. Në ora 15.45 do të mbajë konferencë për mediat, deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
*******************************************************************
12.30 – Seanca është shtyrë për në orën 15. Kryeministri Zaev dhe Bilall Kasami i krahut të Lëvizjes Besa po zhvillojnë negociata dhe ende nuk ka marrëveshje.
*******************************************************************
Ndryshimet kushtetuese në fazën e tretë dhe finale përsëri janë përpara debuptetëve në kuadër të seancës së 75-të, pasi që dje u shty për sot në orën 12:00. Kjo është përpjekja e tretë që të fillojë seanca në të cilën do të miratohen amendamentet kushtetuese, pasi që dy ditët e kaluara është prolonguar dhe anuluar, njofton Portalb.mk.
Shtyrja e seancës plenare për ndryshmet kushtetuese dje dhe pardje për shkak të mos-arritjes së marrëveshjes në lidhje me këtë amandament:
“Për qytetarët e përkatësisë etinke shqiptare, në rregulloret dhe pjesët e tjera të legjislacionit të organeve shtetërore, nënshtetësia në gjuhën maqedonase do të jetë “maqedonase / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut në gjuhën shqipe do të jetë “e Maqedonisë / qytetar i Republikës së Maqedonisë Veriore” ndërsa në gjuhën angleze do të ishte “macedonian / citizen of Republic of North Macedonia”
Mbetet e paqartë nëse Lëvizja Besa qëllimisht ka kërkuar të quhet “Maqedonia Veriore dhe jo “Maqedonia e Veriut” siç shkruan në Marrëveshjen e Prespës- përkthim zyrtar i Qeverisë.
Pse është bërë kështu, për këtë detaj, zëdhënësi nuk kishte informata.
Mbrëmë dhe gjatë ditës Zaev ishte optimist se do të merren vesh pasi që bëhet pjesë për çështje teknike, gjë që sipas tij, nuk e vë në rrezik identitetin maqedonas, por më vonë, siç shkruan Plusinfo, pas reagimit të 8 deputetëve që dolën nga VMRO-DPMNE të cilët thanë se nuk do të votojnë nëse pranohet amandamenti i Lëvizjes BESA, edhe kryeministri ka ndërruar mendje.
LEXO: 8 deputetët e VMRO-DPMNE-së: Nëse pranohet kërkesa e Kasamit ne nuk votojmë
Mbetet të shihet nëse Maqedonia do të mbetet sërish peng i VMRO-DPMNE-së nacionaliste, siç ishte për 11 vite me radhë, duke hyrë në këtë lojë tani edhe Lëvizja Besa e cila me apo pa dashje i jep shkak të njëjtës.
Ka gjasa që kryeparlamentari Talat Xhaferi ta fillojë seancën për përcaktimin e amandamenteve, ku sipas pikës së parë të rendit të ditës, secili amendament përctohet dhe votohet me shumicë të thjeshtë (61 deputet).
Më pas e njejta të ndërpritet dhe të vazhdojë kur të arrihet shumica absolute prej 80 deputetëve.
Rendi i ditës ka katër pika:
1. Përcaktim i Propozim-amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
2. Miratim i amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
3. Shpallja e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
4. Propozim-ligj Kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
- Secili amendament përcaktohet me shumicë të thjeshtë (61 deputet), më pas hapet diskutimi i përgjithshëm për to. (PIKA 1)
- Pastaj, hapet diskutim për secilin amandament në veçanti dhe votohet për secilin amandament me shumicën e dy të tretave (80 vota). (PIKA 2)
- Më pas, votohet me shumicën e dy të tretave (80 vota) për të gjithë amandamentet së bashku. (PIKA 3)
- Ndërsa në fund hapet Ligji Kushtetues për zbatimin e amendamenteve për miratimin e së cilit duhet gjithashtu shumica e dy të tretave (80 vota). (PIKA 4)