Ligji për regjistrimin e popullsisë, pa asnjë ndryshim pritet në janar të dërgohet në Qeveri

Enti Shtetëror për Statistika i ka dhënë dritë jeshile Ministrisë së Drejtësisë që propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë ta dërgojë në Qeveri për miratim pa asnjë ndryshim nga versioni i parë, pasi që deri tek ata nuk ka arritur asnjë vërejtje apo sugjerim për të njëjtin gjatë kohës derisa i njëjti ka qenë në debat publik, njofton Portalb.mk.

“Propozim-ligji ka qenë 20 ditë në debat publik dhe s’kemi marrë asnjë vërejtje apo sugjerim zyrtar, andaj dhe i njëjti do të dërgohet në Qeveri ashtu siç është, pra në versionin e parë. Pasi mbaroi afati, ne kemi dërguar shkresë zyrtare deri te Ministria e Drejtësisë, që të njëjtin ta dorëzojnë në Qeveri”, thonë për Portalb.mk nga Enti Shtetëror për Statistika.

Nga Ministria e Drejtësisë nuk precizojnë se kur i njëjti do të dërgohet në Qeveri, por vetëm thonë se pas Vitit të Ri.

“Sipas procedurës, tani jepet në mendim në ministri tjera, gjegjësisht nevojitet harmonizim i ligjit, këtë e dinë edhe nga Enti Shtetëror për Statistika.  Gjithçka varet nga harmonizimi, nuk mundem të them se sa do të zgjatë, por sigurisht që pas Vitit të Ri”, thotë për Portalb.mk, zëdhënsi i Ministrisë së Drejtësisë, Vlladimir Dellov.

Propozim-ligjin, zyrtarisht e përgatit Enti Shtetëror për Statistika (ESSH), ndërkaq për shkak se ky institucion nuk ka të drejtë për të propozuar ligj, atëherë propozues është Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht ky resor ka rol teknik.

Pas Vitit të ri, pritet që propozim-ligji të dorëzohet në Qeveri, e cila duhet ta miratojë dhe më pas ta dërgojë në Kuvend, ku do të ketë mundësi që deputetët të dorëzojnë amendamente për të korrigjuar këtë propozim-ligj.

sipas propozim ligjit të ri, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave duhet të bëhet prej 1 deri më 21 prill të vitit 2020.

Kontestuese në këtë propozim-ligj shihet të jetë mënjanimi i grafës etnike, gjegjësisht gjatë regjistrimit nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e qytetarëve. Shumica e partive kanë deklaruar se janë kundër këtij propozimi, përveç BDI-së, që thotë se nuk ka ndonjë shqetësim, por të bëhet ligj i pranuar për të gjitha palët.

Por, sipas profesorëve universitarë, nëse gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e popullatës, regjistrimi rrezikon të dështojë sikur në vitin 2011, ndërkaq hapet mundësia që në mungesë të numrave zyrtarë të bëhen lojëra me numra të paverifikuara dhe me këtë do të shkelej parimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) për përfaqësim të drejtë dhe amendamenti VI i Kushtetutës së Maqedonisë, i cili thërret në përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve të cilët u takojnë bashkësive të ndryshme etnike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button