Mosndëshkimi i sulmuesve të gazetarëve, vazhdon ta helmojë demokracinë e Maqedonisë

Megjithëse pushteti ekzekutiv ka treguar vullnet politik dhe reagon shpejtë ndaj rasteve ku sulmohen dhe kërcënohen gazetarët, problematike mbetet fakti se të njëjtin vullnet politik nuk e ndjek edhe gjykata dhe prokuroria. Si pasojë sulmuesit nuk dënohen, e kurse mosndëshkueshmëria vazhdon ta helmojë demokracionë e Maqedonisë.

Përveç në aspekt profesional, sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve bëhen edhe ndaj jetës private, veçanërisht në rastet kur gazetarët janë femra, u tha sot në ngjarjen e shënimit të Ditës Botërore për ndalim të mosndëshkimit të kërcënimeve ndaj gazetarëve që u mbajt sot në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Për të ulur nivelin e mosndëshkueshmërisë së sulmeve të gazetarëve në të ardhmen, ambasadori i Misionit të OSBE-së në Maqedoni, Klemens Koja njoftoi se do të hapet linjë telefonike në të cilën gazetarët, por edhe qytetarët do të denoncojnë sulmet në ngjarjet me rrezik të lartë, siç janë protestat dhe demonstratat.

“Mosndëshkueshmëria është e helmuese dhe e papranueshme, dhe në këtë mënyrë krijohet hapësirë për censurë, duke kufizuar hapësirën e lirë mediale. Gazetarët kanë qenë në cak edhe të kërcënimeve ndaj jetës së tyre profesionale dhe private. Vëmendje e veçantë është dhënë ndaj gazetareve femra, sepse ato ngarkohen dyfish, duke u sulmuar edhe si gazetare, e më pas diskriminohen edhe si femra. Misioni për momentin është duke synuar që të vendos linjë telefonike, ku punëtorët medial do t’i denoncojnë sulmet ndaj tyre. Pas vendosjes së lindjes telefonike, Misioni do të realizojë fushatë për të njëjtën, që të ngritët vetëdija”, tha Koja.

Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni (SHGM), Naser Selmani vlerësoi se pushteti ekzekutiv ka dëshmuar se kanë vullnet politik për reagim të shpejtë dhe për ndëshkim të sulmuesve të gazetarëve, por ai tha se të njëjtin vullnet nuk e ka edhe gjykata dhe prokuroria.

“Siguria në Maqedoni ngadalë është duke u përmirësuar, dhe se nga viti i kaluar, kur kishim 18 gazetarë të sulmuar, këtë vit kemi vetëm 6, kurse institucionet pas një dekade nisën t’i dënojnë sulmuesit. Për sulm fizik ndaj gazetarëve, Gjykata Themelore Shkup ka dhënë dënim me burg, ndërkaq Gjykata Civile në Strugë ka dënuar disa individë me para”, tha Selmani, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, megjithëse MPB-ja ka dëshmuar se ka vullnet politik për sanksionim të sulmuesve ndaj gazetarëve, të njëjtin vullnet nuk e ka edhe siç e quan ai, “Burokracia e policisë dhe prokurorisë”, pasi që sipas tij, ata “ende udhëheqin procedura joefikase dhe jo efektive për sulme ndaj gazetarëve”.

“Nga 59 sulme ndaj gazetarëve, vetëm 2 sulmues janë dënuar me dënim efektiv, dhe vetëm një rast në Prokurori është tërësisht i hetuar dhe i përgatitur për ndjekje penale. 13 raste janë të pazbardhura, për të cilat policia thotë se është vështirë të zbardhen, për shkak se ose nuk kanë dëshmi, ose përfaqësuesit paraprak kanë udhëhequr hetime jokualitative, ku në disa raste edhe i kanë shkatërruar dëshmitë”, tha Selmani.

Në lidhje me këtë, ai propozoi se nëse policia nuk mund t’i zbardhë këto raste, “Mundësia e vetme është që të ngritët padi penale ndaj pjesëtarëve të policisë”.

“MPB-ja ka ngritur 7 padi penale kundër sulmuesve të gazetarëve, kurse Prokuroria ka pranuar vetëm një”, tha Selmani,i cili shtoi se të njëjtën politikë e ndjek edhe Gjykata Civile.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Oliver Spasovski premtoi se Qeveria dhe ministria që udhëhiqet nga ai, do të mundësojnë kushte edhe më të mëdha për kryerje të profesionit të gazetarisë në Maqedoni.

“Institucionet edhe më shumë do të mundësojnë kushte për kryerjen e profesionit të gazetarisë, pa sulme, pa kërcënime dhe pa çfarë do pengese që do të ishte problem për çfarë do media apo gazetar”, tha Spasovski.

Përndryshe, sipas informacioneve që u dhanë në ngjarjen e sotme, në botë janë vrarë 47 gazetarë, 3 prej të cilëve janë në rajonin evropian. Në rajonin Ballkanik është vrarë një gazetare, edhe atë në Bullgari. Në Maqedoni deri tash nuk është vrarë asnjë gazetar, por edhe sulmi ndaj gazetarëve ka pësuar rënie, pasi që në vitin 2016-2017 janë sulmuar 18 gazetarë, kurse në periudhën kohore 2017-2018 – 6 gazetarë.

Gjatë ngjarjes së sotme u promovua edhe Doracaku për udhëzime për sigurinë e gazetarëve gjatë ngjarjeve me rrezik të lartë, i cili u përpilua pas realizimit të 7 punëtorive në 6 qytete. Doracaku është bashkëpunim i Misionit OSBE-së në Maqedoni, dhe Shoqatës e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button