Kulla e kartave

Fronti i subjekteve politike dhe akademike që punuan zhurmshëm dhe me shumë pasion me qëllim që të dështojë zbatimi i Marrëveshjes së Prespës u shpartallua si kullë kartash brenda disa orëve. Mickovski si lider i VMRO-DPMNE-së do të mbahet mend për përjashtimet ekspeditive të anëtarëve të partisë që shfaqën mendim të ndryshëm nga qëndrimi që proklamonte ai, ose më mire thënë, nga mosqëndrimi i tij. Pra, zyrtarisht, VMRO-DPMNE nuk doli me qëndrim të qartë se çfarë duhet bërë në referendum. Vetë Mickovski tha që ai nuk është kurrkush që t’i tregojë popullit se çfarë duhet të bëjë. Kur pa që dalja në referendum ishte e ulët, atëherë u bashkangjit në bllokun e bojkotuesve dhe tha që po të ishte VMRO-DPMNE në pushtet, do të kishte bërë marrëveshje më të mirë se ajo e Prespës. Sikur 11 vitet e kaluara kjo parti kishte jetuar në Mars dhe nuk kishte qenë pushtetmbajtësi kryesor në këtë vend! Dhe ishte më se normale që të ketë disa njerëz që mundën të mendojnë ndryshe dhe të kenë aq guxim sa ta shprehin këtë mendim ndryshe në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, nën shikimet vrastare të kolegëve të tyre deputetë që donin t’i hanin të gjallë, ashtu siç u vërsulën pas tyre më pas në rrjetet sociale. Por ja që dolën 8 veta që morën guximin të veprojnë kundër mos-qëndrimit të liderit të tyre dhe të ballafaqohen më pas me përjashtimin e tij. Ky përjashtim është nderi më i madh që Mickovski mund t’ua bënte atyre, dhe turpi më i madh për vet atë, që duke mos pasur qëndrim autentik, i përjashtoi të gjithë të tjerët që nuk e ndanë mos-qëndrimin e tij.

Subjekti i dytë poashtu i shpartalluar është partia e Janko Baçevit ku ai ra në konflikt të hapur me rusofilin tjetër, bashkëpunëtorin e tij më të afërt Vlahov-Micov. Të dy vollën vner kundër njëri tjetrit nëpër mediume për atë se cili është më i afërt me rusët dhe me shërbimet e tyre sekrete, dhe cili ka dashur të formojë krah ushtarak të partisë deri sa tjetri e ka kundërshtuar këtë. Nuk kam menduar asnjëherë se një shpartallim i kësaj natyre do të ndodhë kështu befas dhe shpejt, në momente kur këto subjekte politike proklamonin harmoni të brendshme dhe veprim të përbashkët. Tani në vendet e liruara në VMRO-DPMNE mund të bashkangjitet ndonjëri nga këta dy rusofilë të përbetuar. Edhe ashtu, në partinë opozitare nuk mbeti asnjë vend për të deklaruar mendim të ndryshëm nga mos-qëndrimi i liderit. Kështu që aty është koha e përshtatshme për të ridizajnuar një subjekt karakteristik për kohën e stalinizmit. Për këtë ndihmesë të madhe mund të japin edhe përfaqësues të së majtës, qëndrimet e të cilëve gjatë gjithë kësaj periudhe ishin identike me të djathtën ekstreme nacionaliste. Dhe me të drejtë disa konstatuan dhe përkujtuan në faktin se kur e djathta ekstreme nacionaliste bashkohet me të majtën ekstreme rezultati është nacional-socializmi i Rajhut të tretë që e solli Gjermaninë në Luftën e dytë botërore. Por tek ne kjo nuk do të ndodhë sepse ky front u shpartallua vetvetiu, si kullë kartash.

Subjekti i tretë i shpartalluar janë pjesëtarët e komunitetit akademik të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë dukshëm histerikë. Histeria e tyre që kulminoi gjatë kohës së sjelljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, vazhdon sot e kësaj dite me shpërthime të tilla ku një profesoreshë e të drejtës kushtetuese thotë që nuk mjaftojnë 80 vota për shumicë të kualifikuar por duheshkan 81 deri sa një profesoreshë tjetër universitare thërret në mobilizim të përgjithshëm kundër vendimit të po asaj shumice të kualifikuar që votoi pro hapjes së debatit për amandamente të reja kushtetuese lidhur me Marrëveshjen e Prespës.

Mjaftoi një deklaratë e kryeministrit i cili thirri në pajtim, e cila deklaratë nga të gjithë u interpretua si thirrje për falje dhe amnisti, në mënyrë që bota të kthehet përmbys , shpresat të ngrihen, votat të arrihen dhe fronti pro-rus të shpartallohet. Kjo deklaratë filloi të zbatohet me atë që është në krijim e sipër komisioni parlamentar që do t’i shikojë dhe përcaktojë masat që duhet të merren për t’u arritur një pajtim i tillë. Por të gjithë e dinë që pa drejtësi pajtim nuk mund të ketë. Ndërsa drejtësia është ekuivalente me bartjen e përgjegjësisë. Zyrtari i lartë shtetëror amerikan, Palmer, qartazi tha që sundimi i ligjit nuk ka tjetër alternativë dhe nuk mund të anashkalohet. Këtë e konfirmoi dje edhe kryeministri me deklaratën e tij se nuk mund të ndërhyje askush në sundimin e ligjit qoftë edhe në emër të pajtimit. Kështu që gjërat pritet të hynë ngadalë në vendin e vetë. Sepse fundja pa sundim të ligjit dhe pa bartje të përgjegjësisë nuk do të na dallojë asgjë nga ato shtetet totalitare të tipit stalinist tek të cilat deshën të na çojnë ata që u shpartalluan si kullë kartash.

Përfundimisht, shqiptarët edhe kësaj radhe treguan një bashkim dhe homogjenitet të përgjithshëm kur është fjala për hapat që duhet të ndërmerren për integrim në NATO dhe BE. Shpresoj shumë që ky homogjenitet të vazhdojë dhe të mos humbet energjia dhe fokusi për çështje që nuk janë në agjendën momentale të partnerëve tanë ndërkombëtarë të cilët haptazi na përkrahin për të ardhur deri tek zgjidhja përfundimtare e problemit që na ndan nga ëndrra jonë e kahershme për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe e BE-së. Shpresoj shumë që subjektet shqiptare sa më parë ta kuptojnë se kjo çështje nuk ka të bëjë me gjuhën shqipe e as me të drejta tjera kolektive por ka të bëjë me atë mbrojtje të cilën vetëm NATO mund ta ofrojë dhe me ato standarde dhe vlera që mund të realizohen vetëm në Bashkimin Evropian. Nuk ka patriotizëm më të madh se sa angazhimi për ato vlera që ne vete ngërthejnë edhe të drejtën e gjuhës edhe të gjitha të drejtat tjera të cilat janë të rëndësishme për ne. Ne duhet të jemi në gjendje si popull dhe si subjekte politike që në këtë mes qartazi ta shohim pyllin dhe jo në mënyrë shkurtpamëse të koncentrohemi për t’i parë vetëm drunjtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button