“Trump i përfshirë në mashtrim fiskal”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka ndihmuar prindërit e tij t’u shmangen taksave, përfshirë “raste të mashtrimit të plotë”, tregoi një raport i botuar nga gazeta The New York Times, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një investigim i gazetës i bazuar në raportet konfidenciale tatimore dhe regjistrimet financiare zbuloi se Trump ishte pjesë e “skemave të dyshimta tatimore” gjatë viteve 1990 që “ndjeshëm rritën pasurinë që ai pranoi nga prindërit e tij”.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump pretendoi se ai kishte krijuar kompaninë e tij dhe kishte marrë shumë pak para nga familja e tij, duke shpallur veten një “miliarder të vetëbërë”.

Por, sipas hetimeve të The Times, ai kishte pranuar nga familja ekuivalentin e sotëm prej 413 milion dollarësh nga patundshmëritë e babait të tij, Fred Trump.

“Pjesa më e madhe e këtyre parave erdhi tek Trump sepse ai ndihmoi prindërit e tij të shmangnin taksat”, shkruan The New York Times.

“Ai dhe vëllezërit e motrat e tij krijuan një korporatë mashtruese për të maskuar miliona dollarë në dhurata nga prindërit e tyre, tregojnë regjistrat dhe intervistat. Të dhënat tregojnë se Trump ndihmoi babanë e tij të fitojë zbritje tatimore të papërshtatshme me vlerë milionëshe”, thuhet më tej.

Sipas gazetës, gjetjet bazohen në intervistat me ish-punonjësit dhe këshilltarët e Fred Trump, ndërsa ka analizuar më shumë se 100.000 faqe të dokumenteve të familjes Trump, duke përfshirë shënime, raporte financiare, dosjet të gjykatave civile, deklarata bankare, auditime financiare, fatura dhe regjistra rregullatorë.

Raporti shtoi se prindërit e presidentit, Fred dhe Mary Trump, “u kanë transferuar më shumë se një miliardë dollarë pasuri fëmijëve të tyre, që mund të kishin prodhuar një faturë tatimore prej të paktën 550 milionë dollarë”, nga të cilat Trump paguan vetëm 52,2 milionë dollarë.

Ndërsa presidenti nuk iu përgjigj pyetjeve të The Times, avokati i tij, Charles J. Harder, hodhi poshtë akuzat.

“Pretendimet e New York Times për mashtrim dhe evazion fiskal janë 100 për qind të rreme dhe shumë shpifëse”, tha ai në një deklaratë me shkrim.

“Nuk ka pasur asnjë mashtrim apo evazion fiskal nga askush. Faktet mbi të cilat The Times i bazon pretendimet e saj të rreme janë jashtëzakonisht të pasakta”, shtoi ai.

Vëllai i Donald Trump, Robert Trump, gjithashtu publikoi ​​një deklaratë mbi akuzat, duke deklaruar se të gjitha taksat janë paguar pas vdekjes së prindërve të tyre.

“Të gjitha taksat e duhura për dhurata dhe pasuri janë dokumentuar dhe taksat e kërkuara janë paguar”, tha ai.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump nuk pranoi të shpaloste raportin e tij tatimor, duke e thyer praktikën e gjatë disa dekada të presidentëve të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button