SHBA, Gjykata e Apelit refuzoi përpjekjen e Trumpit për të bllokuar Pence-n që të dëshmojë
Gjykata Federale e Apelit në SHBA hodhi poshtë të mërkurën përpjekjen e ish-presidentit Donald Trump për të parandaluar ish-zv/presidentin Mike Pence të dëshmonte para jurisë së madhe federale që po heton përpjekjet e Trumpit për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, transmeton Anadolu.
Urdhri i fundit nga Gjykata e Apelit e Qarkut DC vjen pasi ekipi ligjor i Trump paraqiti kërkesë urgjente për të bllokuar vendimin e gjykatës më të ulët që udhëzon Pence-n të dëshmojë.
Urdhri i vulosur, i hap rrugën Këshilltarit Special të Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, këshilltarit të posaçëm që heton trazirat e 6 janarit në Capitol të SHBA-së, për të zbatuar thirrjen që Pence të paraqitet para një jurie të madhe, raportuan disa media amerikane.
Nuk pati prononcim të menjëhershëm nga Trump dhe as nga Pence, ndërsa disa media cituan asistentët e ish-presidentit të cilët më parë thanë se ai do të zbatonte urdhrat e gjykatës.
Trump ende nuk është shprehur nëse do ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë.
Në shkurt, Smith i lëshoi një thirrje Pence-s për të dëshmuar në hetimet në vazhdim lidhur me krimet e mundshme federale që lidhen me përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Të dy, Pence dhe Trump e kundërshtuan thirrjen në baza të veçanta ligjore.
Ish-presidenti thuhet se i bëri presion Pence-s që të përdorte rolin e tij në mbikëqyrjen e certifikimit të rezultateve zgjedhore për të vonuar ose bllokuar certifikimin e humbjes së Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020. Vendimi i Pence-s për të dalë kundër ndihmës së përpjekjeve të Trumpit çoi në tensione mes të dyve, ku ish-zv/presidenti foli publikisht për refuzimin e kërkesave të Trumpit.
Nëse Pence ndjek urdhrin e gjykatës, ai do të ishte ish-zyrtari më i lartë i administratës së Trumpit që do të paraqitet para jurisë së madhe në hetimin e Smith.