Ish-gazetarja që e akuzoi ish-presidentin Trump për përdhunim pritet të dëshmojë para gjykatës

Në Nju Jork po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-Presidentit Donald Trump lidhur me pretendimin e ish-gazetares E. Jean Carroll se ai e përdhunoi gati 30 vjet më parë, raporton VOA. E. Jean Carroll pritet të jape të mërkurën dëshminë e saj para jurisë lidhur me akuzat se zoti Trump e përdhunoi në dhomat e ndërrimit të një dyqani luksoz veshjesh.

Procesi gjyqësor për rastin nisi dje. Në një deklaratë hapëse avokatja e ish-gazetares, Shawn Crowelez tha se zonja Carroll pritet të dëshmojë para jurisë se ajo që ndodhi në pak minuta në vitin 1996 “ia ndryshoi jetën përgjithmonë”.

“E mbushur me frikë dhe turp, ajo heshti për dekada. Megjithatë, përfundimisht, heshtja u bë e pamundur,” tha avokatja Crowley duke shtuar se kur zonja Carroll e theu atë heshtje në libër autobiografik në vitin 2019, presidenti i atëhershëm “përdori platformën më të fuqishme në botë për të gënjyer për atë që kishte bërë, për të sulmuar integritetin e zonjës Carroll dhe për të fyer paraqitjen e saj”.

Zoti Trump, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykatë, por nuk ka përjashtuar mundësinë e dhënies së dëshmisë, është shprehur se zonja Carroll ishte një “e marrë” që sajoi akuzat për përdhunim për të shitur një autobiografi të saj.

Avokati i tij mbrojtës, Joe Tacopina u tha të martën anëtarëve të jurisë se historisë së saj i mungon besueshmëria dhe faktet nuk e mbështesin atë.

Ai e akuzoi zonjën Carroll se ka ngritur pretendimet për të përfituar para dhe për arsye politike dhe i kërkoi jurisë së përbërë kryesisht nga anëtarë demokratë të Nju Jorkut, të lënë mënjanë armiqësinë që mund të kenë ndaj ish-presidentit republikan.

“Mund ta urreni zotin Trump. Por për ta shprehur këtë ka një kohë dhe vend të caktuar. Quhen zgjedhje dhe kuti votimi. Nuk mund ta shprehni këtu në një sallë gjyqi, ku mbizotëron ligji”, u tha zoti Tacopina anëtarëve të jurisë, 6 burra dhe tre gra. “Askush nuk është mbi ligjin, por as nën të”.

Gjyqi vjen një muaj pasi zoti Trump deklaroi pafajësinë në një çështje penale që lidhet me pagesat e bëra në këmbim të heshtjes lidhur me akuzat për marrëdhënie jashtëmartesore me dy gra.

Gjyqi po mbahet në një gjykatë civile federale, që do të thotë se pavarësisht nga rezultati, zoti Trump nuk rrezikon të shkojë në burg.

Zonja Carroll kërkon dëmshpërblim financiar, pa përcaktuar shumën dhe tërheqjen e deklaratave të zotit Trump të cilat ajo thotë se i dëmtuan rëndë integritetin.

Mes të tjerash zoti Trump është shprehur se “ajo nuk është tipi im”, një koment që avokatët e ish-gazetares thonë se është njësoj si ta cilësosh atë si “jo aq tërheqëse” sa për ta përdhunuar.

Emrat e anëtarëve të jurisë nuk do të bëhen publikë për t’i mbrojtur nga ngacmimet e mundshme, por ata janë nga mosha 26-66 vjeç. Mes tyre është një portier, një fizioterapist dhe njerëz që punojnë në bibliotekë, shkollë të mesme, shëndetësi dhe në sektorë të tjerë.

Ata u pyetën mbi rutinën e tyre të ndjekjes së lajmeve, (që variojnë nga ndjekja e çdo lajmi tek injorimi i plotë i tyre), dhurimet politike apo nëse mbështesnin grupe të caktuara që anojnë majtas apo djathtas.

Po ashtu ata u pyetën nëse kishin përdorur plaftormën e medias sociale të zotit Trump, nëse kishin lexuar shkrimet e zonjës Carroll në revistën Elle apo nëse kishin parë programin e dikurshëm televiziv të zotit Trump, “The Apprentice” dhe nëse për shkak të ndonjë prej këtyre çështjeve për ta do të ishte e vështirë të ishin të drejtë.

Zonja Carroll, aktualisht 79 vjeç, pritet të dëshmojë të mërkurën se takimi me zotin Trump, 76 vjeç, ishte i dhunshëm dhe se deklaratat e tij pas akuzave për përdhunim i kanë cënuar integritetin.

Ajo thotë se pasi u takua rastësisht me zotin Trump në dyqanin Bergdorf Goodman të Manhatanit, ai i kërkoi asaj ta ndihmonte për të blerë të brendshme femrash si dhuratë. Ajo thotë se ata filluan të ngacmonin njëri-tjetrin për të provuar të brendshmet e grave.

Zonja Carroll thotë se ata përfunduan vetëm në dhomën e zhveshjes së dyqanit, ku zoti Trump e shtyu atë pas një muri dhe e përdhunoi para se ajo ta luftonte dhe të ikte.

Që kur ajo i bëri akuzat për herë të parë në librin autobiografik në vitin 2019, zoti Trump e ka kundërshtuar fuqishëm akuzën për përdhunim. Ai tha se as nuk e njihte zonjën Carroll, ish-bashkëpunëtore për një kohë të gjatë e revistës “Elle”.

Anëtarët e jurisë pritet të dëgjojnë dëshminë edhe të dy grave të tjera që thonë se janë sulmuar seksualisht nga ish-presidenti Trump.

Jessica Leeds do të dëshmojë se zoti Trump u përpoq të fuste dorën nën fustanin e saj gjatë një fluturimi në vitin 1979 ndërsa ishin të ulur pranë njëri tjetrit. Ajo thotë se nuk ishte përzgjedhja e saj të ulej afër tij.

Natasha Stoynoff, ish-gazetare e revistës People, do të dëshmojë se ish-presidenti e shtyu atë pas një muri dhe e puthi me forcë në rezidencën e tij në Florida, kur ajo shkoi atje më 2005 për të intervistuar zotin Trump dhe gruan e tij Melania Trump, e cila në atë kohë ishte shtatzënë.

Normalisht, pretendimet e zonjës Caroll për shkak të distancës së madhe kohore nuk do të shqyrtoheshin në një proces gjyqësor. Por në nëntor shteti i Nju Jorkut miratoi një ligj që lejon ngritjen e padive për abuzime seksual edhe nëse ato pretendohet se kanë ndodhur dekada më pare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button