Koha është për vendim, jo për pazarllëk

Kur shefi i shteti vendos ta bojkotojë ardhmerinë e shtetit, si i thuhet kësaj pune? Kur ai shkon gjer në SHBA ku paturpësisht flet kundër vlerave perëndimore demokratike në një tribunë ku nuk ka asnjë shenjë nga shteti të cilin ai e përfaqson dhe që aty i thërret qytetarët e vendit të vetë të bojkotojnë, a nuk është kjo tradhëti e lartë? Apo tradhëti është vetëm atëherë kur shqiptarët e Maqedonisë nuk e vendosin flamurin shtetëror mbi tavolinë edhe përskaj faktit që shpesh pikërisht ata tregojnë gatishmëri më të madhe për ta mbrojtur dhe për ta përparuar këtë shtet në krahasim me vetë shefin e shtetit. Ivanov që nga fillimi e gjer në fund të mandatit të tij ka treguar sjellje tërrësisht jolojale që nuk i ka hije një burrështetasi që mbron interesat e vendit të vet. Ai si gjithmonë edhe kësaj rradhe zgjodhi anën e errët, përskaj asaj të ndritshmes. Ashtu si në vitin 2016 kur nënshkroi faljet e tij dhe u mundua t’i jepte shkelmin drejtësisë, ashtu si në vitin 2017 kur nuk e dha me kohë mandatin dhe u mundua të nxisë grushtshteti në vendin që e përfaqëson, ashtu si në vitin 2018 kur nuk e nënshktuajti dekretin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, dhe ashtu sikur tani që thërret qytetarët në bojkot. Ai thjeshtë është turpi më i madh që kemi përjetuar si shoqëri, turp që për dhjetë vit të tëra e kemi duruar si përfaqësuesin tonë, brenda dhe jashtë vendit.

Dhe shqiptarët e Maqedonisë ende vazhdojnë të përballen me dilemat e kahëhershme. A do e ndryshojmë preambulën e Kushtetutës? A do bëhemi komb shtetformues? A do zyrtarizohet gjuha shqipe? A do e mbajmë pazarin lartë lidhur me këto çështje apo si do t’ia bëjmë? Sikur anëtarësimi në NATO dhe në BE të jetë punë aksham-pazari, ku me bashkëqytetarët tanë maqedonas duhet ti bëjmë hamendjet e fundit lidhur me atë sa neve do të kërkojmë e sa ata do të na japin. Deri kur ky mentalitet pazarllëku do të mbisundojë tek ne? Deri kur do të jemi në gjendje t’i sakrifikojmë ëndrat jetike për NATO e BE me të drejtat tona kolektive? Edhe një herë pyes, ku do përcaktohen më mirë të drejtat tona kolektive si shqiptarë dhe të drejtat tona fundamentale si qytetarë të këtij shteti: në atë aksham-pazarin e ditës së shtunë mbrëma ose edhe të mbrëmjes para votimit të ndryshimeve kushtetuese apo në procesin e ndryshimit të kushtetutës sonë si pjesë e rrugës për integrim në UE? Kush ju duket garantues më i mirë i të drejtave tona, shteti i Maqedonisë me instituicionet e veta apo Unioni Evropian me institucionet e veta?

Dhe kam edhe një pyetje të fundit. Ata që e lëshuan këtë vend në vitet e kaluara, shqiptarët e rinj që shkuan të jetojnë, punojnë, studiojnë në vendet evropiane dhe ato të NATOs, a shkuan atje që ta kenë gjuhën shqipe gjuhë zyrtare, që të jenë komb shtetformues, apo që të jetojnë në një sistem me vlera evropiane, në një shoqëri të hapur dhe inkluzive, në një mjedis ku korrupsioni dënohet dhe drejtësia funksionon, në një mjedis ku njerëzit merren vesh pavarësisht gjuhës që e flasin? Pjesa më e madhe e të rinjve tanë e lëshuan këtë vend jo para po pas ndryshimit të kushtetutës, pas Marrëveshjes së Ohrit, pas qasjes që fituam në organet e administratës shtetërore. Ikën në pakthim duke kërkuar vlerat evropiane të një mjedisi që funksionon në aspektin ekonomik, juridik e social, ato vlera për të cilat tani neve duam të bëjmë pazar edhe më tej, të kushtëzojmë, të hamendemi se a duhet të votojmë në referednumin e së dielës ose jo.

Jo, të nderuar, hamendje kësaj rradhe nuk duhet të ketë, as bojkot nga ana jonë e as abstenim. Përkundrazi, duhet të ketë një PO të forte shqiptare në këtë referendum. Sepse alternative jonë e vetme janë BE dhe NATO, gjithnjë nëse jeni dakord që alternativa ruse dhe e njëfarë bashkimi euro-aziatik nuk vjen parasyshë. E merni dot me mend që të bëni kompromis me njerëz si Baçevi për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, për gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, për atë se si do të duket pasaporta jonë dhe shtetësia jonë aty? Me të vërtetë mendoni se alternativa e tij do të na sjellë këto të drejta? Po edhe po na solli, që nuk është e mundur asnjëherë, ç’na duhen ato të drejta po nuk qemë pjesë e Evropës dhe NATOs? Kush do na i mbrojë ato të drejta? Rusia, Turqia apo ai farë unioni euro-aziatik?!

Është koha, pamë gjithçka që duhej të shihnim, dëgjuam gjithçka që duhej të dëgjonim. Koha për vendimmarrje erdhi. Koha për të vepruar poashtu erdhi. Shqiptarët gjithnjë e kanë dëgjuar zërin e perëndimit. Do e dëgjojnë edhe kësaj herë, sepse e dinë që për ta dielli gjithmonë lind andej nga perëndon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button