PËRÇARJE

Është e njohur brenga e Rilindësve që e krijuan Shqipërinë nga kurgjëja. Dhembjen për shqiptarin që s’bëhet ata e përjetësuan edhe në shkrimet e tyre, që ditën e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar – shtetit që, në vend se t’na trimërojë e t’na japë krahë ta ndërtojmë e ta ngremë shkallë-shkallshëm në këmbë të shëndosha, siç bëjnë etnitë e qytetëruarra me ATDHETË e tyre, na e futi frikën në palcë nga liria e shumëpritur, së cilës ia ngulëm kazmat për ta rrënuar në zanafillë, ashtu siç dimë vetëm ne. Me këtë akt vetërvrasës të së tashmes dhe të ardhmes, e dëshmuam edhe një herë vuajtjen  kolektive nga sindromi e frikës së robit nga liria, u bëmë vetë shkaku i fatkeqësirave, prej të cilave assesi të shqytemi.

Përveç krijuesve tanë mendjendritur, për iletin tonë kronik kanë shkruar edhe mendimtarët dhe shkrimtarët e huaj, në mesin e të cilëve dhe shkrimtari i mirënjohur kroat Mirosllav Kërlezha. Në esenë Mbi të gjithë flamujt tanë, veç tjerash, ai sjell imazhet e ditës së arritjes në portin e Durrësit të Princ Vidit në vitin 1914, ku kapi pagabueshëm përçarjen brendashqiptare të shprehur, në njërën anë, me britmat entuziaste të atyre që angazhoheshin për një Shqipëri evropiane, kurse, në anën tjetër, të dumbabistëve, që kërkonin kthimin e një epoke të perënduar përgjithmonë.

Jua kujtoj se Kërlezha paraprakisht e kishte dëshmuar me kontribute konkrete dashamirësinë për shqiptarët, ndaj e përjetoi me dhembje përçarjen e ndodhur para syve të tij, që u shkonte në favor armiqëve të racës sonë. Për të ishte e pabesueshme, që një etni e shkelur me shekuj nga thundrat e huaja, po e vriste të ardhmen e saj atëherë kur kishte ardhur koha ta gëzojë Atdheun e lirë. Si mund ta mirëkuptonte shqiptarin e ngritur lugat kundër vetvetes gjeniu, që, në vitet e 30-ta të shekullit të kaluar, denoncoi ashpër politikën gjenocidiste serbe, duke shkruar guximshëm për kolporterët e gazetave të Beogradit (Pravda, Vreme, Balkan…), që shpallnin me entuziazëm masakrat ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës: Tek i dëgjoja britmat e tyre, shkruan Kërlezha, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë e ndjeja çka do të thotë të jesh njëri nga Mustafa Abazët dhe Adem Beqirët 25 vjeçarë dhe çka do të thotë të biesh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar i pafajshëm nga mitralozat e shtetit, që krenohet se sundon territoret e tjetrit me vullnetin e Perëndisë…

Mjerisht, përçarjet  dhe kacagjelimet brendashqiptare janë të famshme, të vjetra dhe atipike.  Ato na kanë përcjellur që nga shekujt që nuk mbahen mend, duke mbetur në kujtesën tonë me dromca legjendash, si ajo e tre vëllezërve që iu përveshën ndërtimit të urës që nuk u ndreq kurrë, viktimë e së cilës u bë e ardhmja  e trishtë e përfaqësuar me metaforën e foshnjes së murosur…

Përçarjet e së shkuarës i kam njohur herët nga rrëfimet e të parëve dhe nga veprat e lexuara, produkt i të cilave e konsideroj veten. Ajo që nuk arrij ta kuptoj (sigurisht nuk arrini as ju, lexues të dashur) dhe që nuk e kam pritur kurrë janë përçarjet e reja brendashqiptare, që nisën të diktohen ashiqare pas shembjes së sistemit monist, veçmas pas konflikteve të përgjakshme në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë.

Natyrisht, as hasmëritë e reja ndërvëllazërore nuk erdhën rastësisht, sepse qenë të befta dhe u shfaqën në të gjitha drejtimet: si përçarje në vija krahinore, dialektore, religjioze…, të prira nga klane mercenarësh, që hanxharët e ndarjes së trupit dhe shpirtit tonë i justifikojnë me të drejtat e garantuara prej demokracisë së brishtë, të kuptuar me mendje mashash të huaja, që nuk e dijnë se në vendet me tradita demokratike si Zvicra, Belgjika, vendet Nordike…, nuk i lejohet kujt as cënimi më i imtë i dinjitetit të etnive dhe qytetarëve që jetojnë në to. Jo si n’Shqiptari, ku çdo legen pshurr simbolet e etnisë, heronjtë dhe personalitetet historike për të cilët janë drobitur shumë eshtra dhe është derdhur shumë gjak.

S’po e zgjas më shumë me radhitjen e përçarjeve aktuale ndërshqiptare, që rezultojnë me dekurajimin dhe ikjen e të rinjëve nga vatrat e të parëve, që tani më ka marë përmasat e një eksodi të paparë më herët.

Krejt këtë e kanë shkaktuar dhe e shkaktojnë politikbërësit e pandërgjegjshëm të të gjitha trojeve shqiptare, që s’kanë kohë ta menaxhojnë lirinë, sepse janë të zënë me milionat e euro-dollarëve të hajnisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button