Mbrojtja e “patriotëve”

Sa herë që mbahen seanca të gjykimit lidhur me rastin “27 Prilli” më bëjnë përshtypje protestuesit para Gjykatës Penale Shkupi 1. Nuk janë të shumtë në numër por janë të flaktë për të mbrojtur ata që i quajnë “patriotë”. Njëri nga protestuesit i intervistuar nga mediat tha që ka ardhur ti mbrojë këta “patriotë” nga ky proces që ai e quajti të montuar politikisht. “E çfarë bënë ata? Ata vetëm ishin të zemëruar dhe hynë atë ditë në Kuvend, ashtu siç hymë edhe ne. Përse pikërisht ata i gjykojnë dhe neve jo, kjo nuk dihet!” Deklaratë më të qartë të pranimit të fajit se kjo moti nuk kisha dëgjuar. Pyetja ime është: Çfarë tamam bënte ky “patriot i kulluar” atë ditë, duke hyrë dhunshëm në Kuvend?! Ky është njëri ndër rastet më komplekse gjyqësore në Maqedoni pasi që ka gjithsej 32 të akuzuar. Por në fakt të akuzuar mund të kishte edhe më shumë, si puna e këtij që pranoi fajin para kamerës dhe është një shembull tipik i personit që duhet të ndiqet për pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale. Sepse edhe një pjesëmarrje e tillë në turmë është vepër e veçantë penale dhe dënohet me ligj. Me ligjin e atij shteti që ky “patrioti” e mbron fuqishëm nga “montuesit e proceseve politike”.

E sa për ata 32 të akuzuarit, relativizmi i asaj që bënë nuk ka sukses. Sepse incizimet e ngjarjeve të asaj dite janë ende në dispozicion dhe të gjithë mund ti shohin. Ashtu siç i pamë të gjithë ditën kur këto ngjarje ndodhën. Mund të ketë gjithë ditën tendenca relativizmi, por terrori i përjetuar atë ditë nuk mund të relativizohet as me dy gishtat e ngritura të artistit Vlado Jovanovski me të cilat i përshëndeti protestuesit. E çfarë patriotësh janë ata që e sulmojnë dhunshëm Kuvendin e shtetit të vet? Çfarë papërgjegjësie është ajo ta sjellësh në mënyrë të organizuar vendin tënd në gjendje lufte dhe të kërkosh të shpëtosh pa u dënuar, edhe atë me merita patrioti bile?

Ky rast gjyqësor po që se arrin të përfundojë me të njëjtën aktakuzë dhe me dënimet adekuate për personat e kapur në flagrancë duke kryer vepër serioze të rrezikimit terrorist të rendit kushtetues do të jetë shembull i mirë i përparimit të gjyqësisë në Maqedoni. Bartja e përgjegjësisë për një rast kaq eklatant është esenciale për mospërsëritjen e këtyre ngjarjeve në të ardhmen. Poashtu bartja e kësaj përgjegjësie është shumë e rëndësishme për t’i bërë mbjellësit e urrejtjes të mendojnë mirë para se të mbajnë fjalime me të cilat shkohet drejt kryerjes së veprave të tilla. Kështu, “artistët e merituar të popullit” të cilët e panë të arsyeshme t’i rrezikojnë karrierat e tyre profesionale për të mbjellë urrejtje do të shërbejnë si shembull për të tjerët të cilët duhet ta kuptojnë se në fund të ditës, të gjithë marrin dënimin e merituar si bashkëkryerës të një vepre të tillë të rëndë penale dhe jo thjeshtë si nxitës, sepse kontributi i tyre në këtë vepër ka qenë esencial.

Gjëja tjetër që të gjithë ata 32 të akuzuar që tani gjenden në gjykim duhet të kuptojnë është se përgjegjësinë e tërë në fund do e bartin ata, dhe jo udhëheqësit e tyre të cilët ishin ideatorë të gjithë asaj tollovie. Ata vazhdojnë të merren me politikë dhe të jetojnë jetën e tyre komode, ndërsa këta të tjerët e vazhdojnë rutinën e tyre, nga burgu i Shutkës në sallën e gjykimit dhe anasjelltas. Ka shumë dallim dhe shpresoj që këta të fundit e kuptojnë këtë. Shpresoj që edhe të tjerët ta kuptojnë mirë këtë realitet i cili përsëritet me shekuj në këto vende, ku përgjegjësinë e mban vetëm realizatori dhe jo edhe urdhërdhënësi frymëzues. Përgjegjësinë e mban truproja nga telefoni i të cilit është dhënë urdhri por jo edhe zotëria i truprojës. Sepse zotëria duhet të vazhdojë të jetë zotëri ndërsa të tjerët duhet të jenë shërbyes të tij që i kanë shërbyer edhe kur ishte në pushtet, e që i shërbejnë edhe tani, duke bartur gjithë përgjegjësinë e tij bashkë me të tyren në krahët e vetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button