SHGM kërkon gjykatat t’i praktikojnë e jo t’i interpretojnë ligjet

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, dje u takua me kryetarin e Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski. Në takimin biseduan për barazimin e praktikës gjyqësore nga Gjykata Supreme për paditë për shpifje dhe fyerje kundër onlajn mediave.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, kërkoi nga Gjykata Supreme sa më shpejtë ta shqyrtojë iniciativën e Shoqatës, me të cilën kërkohet nga Gjykata e Apelit në Shkup t’i procedojë paditë për shpifje kundër onlajn mediave në pajtim me praktikën e Gjykatave të Apelit nga Manastiri dhe Ohri.

Selmani vlerësoi se nuk është punë e gjykatave të interpretojnë Ligjin për përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje, por duhet ta zbatojnë atë në mënyrë strikte.

Ai tha se përpjekja e Gjykatës së Apelit për licencimin e medias e kufizon lirinë e të shprehurit dhe është në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas tij, krijimi i perceptimit të rremë në opinion se ekziston kolizion në ligjet në lidhje me veprimin për shpifje kundër onlajn mediave duhet të shërbejë si alibi i qarqeve të caktuara politike, të cilët insistojnë të sjellin rregullim më të rreptë të internetit.

Kryetari Vangellovski informoi se kërkesa e SHGM është dërguar tek Departamenti Civil në Gjykatën Supreme, i cili do të mbajë takim javën e ardhshme ku pritet të merr qëndrim për këtë çështje.

Selmani dhe Vangellovski biseduan edhe për çështje tjera aktuale në lidhje me harmonizimin e praktikës të gjykatave maqedonase me praktikën e GjEDNj në lëndët kundër gazetarëve dhe mediave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button