Taravari: Arsimi në mandatin e shkuar, mësimdhënësit janë paguar edhe për Facebook

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari në një konferencë për shtyp sot në Gostivar  ka reaguar në lidhje me akuzat e djeshme të degës së BDI-së në Gostivar se ai ka larguar punonjës arsimi nga puna shkaku i revanshizmit politik.

“Në vitin 2013, militantët partiakë të asaj kohe, në të njëjtën periudhë të vitit kanë larguar 166 persona me vendime dhe me kontratë, të cilët i kemi me emër dhe mbiemër. Ndërsa tani, prej gjithsej 147 të punësuarve me kontratë, 117 kanë mbetur në punë, ndërsa vetëm 30 janë zëvendësuar me kuadër të ri. Kjo do të thotë se 80 % kanë mbetur të njëjtit, ndërsa janë zëvendësuar vetëm 20% e tyre, edhe atë kryesisht shkaku asaj se nuk kanë qenë kompetentë për lëndët të cilat i kanë ligjëruar”, shpjegoi Taravari.

Ai, në konferencën e sotme për shtyp, shpalosi sipas tij, raste të zbatimit jo të plotë të Ligjit për kontabilitet dhe shfrytëzuesve buxhetorë, duke u bazuar në revizionet e brendshme në shkollat publike të Gostivarit.

“Në SHF Liria të Vërtokut, janë paguar fatura me vlerë marramendëse për celularët zyrtarë, të cilat jua dorëzoj në dispozicion. Në bazë të Raporti të revizionit për periudhën 06.11.2016 – 16.11.2017 nga ana e inspektoratit një shkollë është vlerësuar me notë 2,25. Në Shkollën e mesme teknike, revizioni i brendshëm që e ka bërë ish kryetari i komunës për periudhën 03.03. – 29.03.2017, ka treguar zbatim jo të plotë të ligjit për kontabilitet. Pagesa për kontratë në vepër në vlerë prej 397 mijë denarë, për të cilët mungojnë raporte për personat e angazhuar me punë”, nënvizoi kryetari Taravari duke u ofruar gazetarëve edhe dëshmitë për këtë.

Më pas ai përmendi një rast në Shkollën e mesme të mjekësisë, ku sipas tij, ka qenë i punësuar një person joadekuat për lëndën e informatikës, i cili ka pasur të kryer biznesin.

“Ky person ka qenë i angazhuar 4 orë për mbështetje informatike, 4 orë për testim ekstern, 3 orë për fotokopje dhe, paramendoni, 2 orë për Facebook. Normalisht ky person nuk mund të mbahet në punë. Një rast tjetër, instruktor i mësimit praktik ka qenë me shkollë të bio-kimisë. Ndërkaq në SHF Çajla është harxhuar naftë, paramendoni, në vlerë prej 600 euro për makinën e kositjes”, theksoi Taravari.

Kryetari i komunës së Gostivarit, përmendi edhe raste të nepotizmit, me ç’rast nënvizoi rastin në SHF Gjon Buzuku në fshatin Sërmnovë, ku një familje kontrollon gjithë shkollën. Ish drejtori ka punësuar si sekretareshë kunatën e vet, ndërsa në po këtë shkollë janë punësuar edhe vëllai i tij dhe disa familjarë të tij.

Taravari foli sot në kuadër të fushatës që e ka emërtuar “E vërteta për BDI-në”.

BDI Gostivar: Largohen prej pune dyzet e një mësimdhënës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button