AKADEMI NË ÇARSHI
Sektori civil apo ekosistemi i shoqërisë civile, i emërtuar edhe si sektori vullnetar, i bashkësisë, që ndërmerr veprime jofitimprurëse, është një agjent shumë i rëndësishëm i shoqërisë bashkëkohore. Cilësohet edhe si sektori i tretë, në kontrast me atë publik dhe privat, i organizatave joqeveritare dhe jofitimprurëse, si hapësirë jashtë familjes, tregut dhe shtetit. Peter Drucker pohon se sektori jofitimprurës ofron një mundësi të shkëlqyeshme që shkathtësi të ndryshme të gjejnë veten në shoqëri, kurse Daniell Bell qysh para 40 viteve, në vitin 1976, kishte parashikuar se sektori i tretë do të bëhet mbizotërues në shoqëri pasi klasa e dijes t’i kapërcejë efektet e sektorit privat. Banka Botërore lidhur me këtë sektor ka përvetësuar një përkufizim që është zhvilluar nga qendrat kyç hulumtuese: “Sërë e gjerë e organizatave joqeveritare dhe jofitimprurëse prezente në jetën publike, që shprehin interesat dhe vlerat e anëtarëve të tyre ose të të tjerëve, bazuar në konsiderata etike, kulturore, politike, shkencore, fetare ose filantropike.”
Fjala e dytë kyç e këtij shkrimi është çarshia, që në kuptimin klasik nënkupton vendin e shitblerjes, kompleksin e shitoreve. Maurice M. Cerasi në veprën e tij Qyteti osman (1999) thotë se çarshia është vendi ku ndërthuret komuniteti me çdo element të jetës së përditshme. Në fakt, ajo është zemra e qytetit, bile edhe në një qytet të hipermodernizuar artificialisht me barok esablishmenti politik. Këtë vjeshtë 2017, të mbushur me politikë e politikanizëm, me banalitete, me disnivel e agresivitet zgjedhor, në kryeqytetin tonë, gjegjësisht në çarshinë e Shkupit, me iniciativën e disa shkollarëve të rinj, me përvojë arsimore nga jashtë, dhe me mbështetjen e afaristëve, lindi një produkt vendor sui generis, një entitet i ri i sektorit të tretë, një shkollë alternative, një mini si-universitet, “Akademia Shkupi”, që pasuroi frymën e zonës tregtare të këtij vendbanimi, ku njerëzit blejnë e shesin, pijnë çaj-kafe, argëtohen e muhabetojnë dhe “vrasin kohën” e çmuar. Një vlerë e jashtëzakonshme për shkupjanët dhe më gjerë, një vatër edukative që duke mbledhur në një vend, studentë, doktorantë, shkencëtarë e shkollarë të kategorive të tjera synon të ndërtojë diçka pozitive në këtë zymtësi dhe defetizëm që na ka kapluar të gjithëve, kur vlerat janë kthyer së prapthi, një shtysë për detoks elitar. Kjo organizatë e arsimimit joformal ka vendosur objektiva shumë sublime dhe idealiste. Të kontribuojë në ndryshimin e imazhit të çarshisë dhe të Shkupit të anës së majtë të Vardarit, të japë ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve intelektuale të popullatës rinore në një frymë vullnetare, pa ngarkesa psikologjike, dije nga qejfi dhe për vetëngritje me dëshirë. Kjo akademi që si vlera ka caktuar arsimin, shkencën, hulumtimin, mendimin, njeriun-në-epiendër, vendorësinë, prijësinë, drejtësinë, besueshmërinë, kompetencat, mbështetjen e zhvillimit mendor, emocional dhe social të brezave, realizimin e projekteve që do rrokin frymën dhe tendencat e kohës, pajisjen e rinisë me shkathësi të reja, socializimin e elitës rinore me të vërtetën, të mirën dhe të bukurën, zhvillimin kulturor, qytetërimor, etik dhe estetik, avancimin e shkathtësive mendore, kapacitetet teorike, analitike, komparative të një grupi që di se çfarë do në jetë etj. Të gjitha këto ka vendosur t’i realizojë përmes teknikave klasike por edhe ato të e-shoqërisë si e-seminaret, duke përdorur vegla si skype, google-talk dhe të tjera. Seminaret e kësaj shkolle do të zgjasin tre vjet, studentët nuk paguajnë gjë dhe pas përfundimit të seminarit, pos certifikatës, marrin edhe një bursë librash në vlerë prej përfarësisht një rroge mesatare të vendit. Edhe këtu pra duket ndryshimi. Libri mbi të gjitha. Temat e zbërthyera në këto seminare të realizuara gjatë këtyre muajve të fundvitit në tetë ligjërata përfshijnë temat si “historia botërore”, “hyrje në mendimin perëndimor”, “origjina e modernitetit” dhe “psikologjia dhe feja”. Në shkallën e dytë dhe të tretë synohet që të realizohen seminare edhe në subjektet si filozofia e moralit, historia e feve, historia klasike osmane, historia e Ballkanit, shteti, shoqëria dhe politika, ideologjitë, politika ndër shqiptarë dhe në Maqedoni etj. Përveç kësaj, qarku i ri i Shkupit synon të organizojë edhe panele, grupe të leximit, konferenca e të ngjashme.
Nga modulet e deritanishme, jemi takuar dhe kemi shkëmbyer ide me studentë jashtëzakonisht vigkjilentë të universiteteve të ndryshme, të cilët në këtë akademi janë inkuadruar për të fituar vlera shtojcë, për të hapur horizontet e tyre edhe më tepër, për t’i shtuar dijes dije. Motivimi që seminaristët tregojnë gjatë leksioneve dhe debateve të zhvilluara e rrëxon klishenë se në kemi vetëm diplomim masovik, përkundrazi na bind se megjithatë kemi edhe kuadro të cilat nesër mund të shkëlqejnë nëse u jepet hapësirë për vetërealizim. Vërtet arsimi është vegla më e fuqishme përmes të cilës mund të ndryshoni botën. Në këtë drejtim kjo akademi është një risi për Shkupin, një hap drejt krijimit të një rrethi të akademikëve të rinj të cilët do ta bartin peshën e së ardhmes, të cilët do të shndërrohen në aktorë konstruktivë të teatrit tonë social, duke frymuar me vlera që do të ndikojnë në politikat arsimore, qeveritare, që do të sjellin një frymë të re, atë të cilësisë, që na mungon shumë. Në një web-faqe që promvon çarshinë mes tjerash gjendet edhe ky tekst: “Bëni një shëtitje nëpër rrugët e ngushta me kalldrëm të labirintit të çarshisë, kënaquni në bukurinë e arkitekturës, takoni ndonjë nga dyqanet, shijoni lahmaxhunin, kërnacet ose ndonjë byrek, ëmbëlsohuni me llokum, pini një çaj. Merrni frymë thellë dhe ndjejini aromat e të kaluarës.” Ne themi: Bëhuni gati të shijoni edhe kulturën dhe vlerat edukative dhe arsimore, një universitet, një institut, libraritë, akademinë e porsahapur të cilës i kushtohet ky shkrim. Çarshia po ndryshon. Ndoshta jo aq në infrastrukturë, por në aspekt të frymës gjithsesi. Bashkë me të ndryshojmë edhe ne dhe gjeografia jonë kulturore. Sa bukur është në çarshi të diskutosh për tradicionalizmin, antikuitetin, modernitetin dhe komodifikimin, modernitetin likuid, për O. Pazin, Baumanin, Tourane-in, Lashin, për revolucionin e katërt apo digjital!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Nje kolumnist i dashur ne temen time te dashur.
Tekstin do ta afishojme mbi tavolinat e vendeve tona te preferuara, ne carshi kuptohet, vendin me normal te Shkupit. Vendi ku cdo shqiptar dhe me gjere musliman duhet te pije kafene cilesore dhe dyfish me te lire se sa matane lumit, te ushqehet me ushqimet e shijshme, te lira dhe me sherbim superior, te bleje veshje me cmim disafish me te ulta dhe kualitet disafish me te larte se sa butiqet me emer dhe pa shije! Akademia qe permend Pajaziti eshte ne frymen e perpjekjeve per avansimin e “nje grumbulli shpirtrash te vlefshme per ne” sic do te thoshte nje ithtar i carshise dhe zhvillimit mendor dhe shpirteror se njera pa tjetren nuk shkojne.