Milani i dorëzohet edhe Romës, drejt derbit “kokulur”

U trumbetua shumë në nisje të këtij sezoni për një rikthim të Milanit, por kur janë luajtur vetëm 7 javë, kuqezinjtë e Montella-s janë mposhtur 3 herë dhe objektivat janë në pikëpyetje të madhe, transmeton Top Channel.

Këtë herë Milani i është dorëzuar Romës në “San Siro”, në një sfidë të drejtpërdrejtë për vendet e kreut, ku verdhekuqtë triumfojnë 0-2.

Në ndryshim nga ndeshjet e para të këtij sezoni, loja e Milanit ishte e mirë deri në momentin e golit të parë, duke e dominuar kundërshtarin, por Roma u tregua mjaft cinike dhe i ndëshkoi kuqezinjtë në momentin e tyre më të mirë.

Pjesa e parë u mbyll me Milanin më kërkues, por rastet për shënim ishin të pakta. Edhe pjesa e dytë nisi thuajse e barabartë, ndërsa Roma pati një mundësi të artë me Florenzin në minutën e 61 teksa u gjend i vetëm me Donarumman, por portieri i Milanit e ndali.

Një minutë më pas ishin kuqezinjtë që u shfaqën tejet të rrezikshëm dhe gati sa nuk shënuan, kur Bonucci goditi fuqishëm brenda zonës dhe këtë herë ishte portieri i Romës që bëri mrekullinë.

I harruar prej minutash në gjysmëfushën e Milanit, Dzeko godet atëherë kur nuk pritej. Boshnjaku lirohet në hyrje të zonës dhe godet menjëherë. Topi devijohet pak nga Romagnoli dhe përfundon në rrjetën e Donarummas. Në vazhdim nuk ka më Milan në fushën e lojës. Roma shënon sërish, këtë herë me Florenzin, ndërsa Calhanoglu largohet nga fusha me kartonin e dytë të verdhë.

Triumfojnë vedhekuqtë, për të cilët është fitorja e katërt radhazi, ndërsa Milani shkon në derbin ndaj Interit me një moral të ulët pas dy humbjeve radhazi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button