Kasami do ta presë “Ecologun” deri në fund të vitit për rikonstruimin e stadiumit të Tetovës

Nuk ka ende asnjë aktivitet në terren për rikonstruimin e stadiumit të Tetovës. Ndonëse tani e disa kohë përflitet se rikonstruimi do të bëhet në bashkëpunim të Komunës së Tetovës me kompaninë “Ecolog” ende nuk ka diçka konkrete. Kryetari i Komunës, Bilall Kasami i pyetur për këtë theksoi se janë në pritje të përgjigjes nga “Ecologu” për ofertën që Komuna ia ka bërë. Por, siç tha Kasami, nëse nuk marrin përgjigje deri në fund të vitit, do kërkojnë zgjidhje tjera. “Ecolog” nuk u përgjigj në pyetjet e Portalb.mk.

Qytetarët dhe adhuruesit e futbollit me vite presin rikonstruimin e stadiumit të qytetit, i cili është në gjendje të shkatërruar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. E kjo më problematikë është për klubin e futbollit “Shkëndija” të cilët nga gjendja e keqe e stadiumit të qytetit, ndeshjet ndërkombëtare i luajnë në Shkup. E vetmja gjë pozitive në këtë stadium është rregullimi i ndriçimit publik dhe fushës së gjelbër.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para dy muajsh tha se brenda pak muajsh pritet të ketë marrëveshje përfundimtare në lidhje me rikonstruimin e stadiumit të qytetit në bashkëpunim me kompaninë “Ecolog”. Ndërkaq, i pyetur së fundmi për të njëjtën Kasami tha se vazhdon komunikimi.

“Ne presim nga koncesioneri, në këtë rast nga “Ecologu” që të jap përgjigje apo të japë një qëndrim rreth ofertës të cilën ia kemi dhënë. Sigurisht që analizohet nga ekspertët e tyre juridik se a është e realizueshme dhe dinamika kohore me të cilën do të realizohet. Parimisht kemi pajtueshmëri që është një zgjidhje që mund të jetë e pranueshme për të dyja palët. Megjithatë, nuk mund të jap përgjigje definitive sepse është çështje që ka implikacione juridike a është e realizueshme ose jo”, tha Kasami.

Por i pyetur për atë nëse ka afat kohor kjo pritje, Kasami u përgjigj:

“Mos të vijë si kushtëzim për shkak se bëhet fjalë për një kompani private. Por, unë besoj se kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më shumë se fundi i këtij viti. Nga viti i ardhshëm do të kërkojmë zgjidhje tjetër.”

Portalb.mk u drejtua me pyetje përmes emailit zyrtar edhe te kompania “Ecolog”, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nuk kemi marrë.

Para disa muajsh, edhe tifozët e klubit futbollistik “Shkëndija” përmes një fushate kërkuan që kompania “Ecolog” ta bëjë rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

Rikonstruimin e stadiumit kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button