Tregu më konkurrues, Shqipëria lë pas edhe Greqinë

Raporti i konkurrueshmërisë analizon mbi 120 tregues për çdo ekonomi të botës, të grupuara në 12 kolona kryesore. Ndër to përfshihen cilësia e institucioneve, infrastruktura, gjendja ekonomike, shërbimet prioritare si arsimi dhe shëndetësia, zhvillimi i tregjeve financiare, si dhe inovacioni i biznesit, përcjell Top Channel.

Sipas Forumit Ekonomik, për këtë vit Shqipëria renditet ekonomia e 75-të më konkurruese në botë, duke lënë pas Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen, por edhe Greqinë. Ky është viti i tretë radhazi që ekonomia shqiptare vlerësohet pozitivisht, duke e përmirësuar renditjen me 22 vende në shkallë globale.

Sipas raportit, Shqipëria ka shënuar përmirësim thuajse në të gjitha kolonat, por ndikimin përcaktues e ka dhënë ambienti makroekonomik, për shkak të uljes së borxhit publik dhe renditjes më të mirë nga agjencitë që vlerësojnë financat publike.

Brenda treguesit të konkurrueshmërisë, Forumi Ekonomik i pyet bizneset edhe për faktorët më problematikë që i pengojnë në aktivitetin e tyre. Këtë vit, në vendin e parë, biznesi liston taksat si faktorin më pengues, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë renditen korrupsioni dhe qasja në financim.

Indeksi i konkurrueshmërisë konsiderohet si një nga treguesit më të plotë për vlerësimin e ekonomive. Sipas “The Economist”, sa më shumë një ekonomi përmirëson renditjen në këtë indeks, aq më të larta janë të ardhurat e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button