NË KËRKIM TË IMAZHEVE TË HUMBURA

Për Renate Lachman-in qyteti nuk është vetëm vend, por edhe imazh.

Qyteti është mjedis social, historik, kulturor, artistik, psikologjik, personal.

Qyteti është imazh identitar.

Qyteti është organizëm i gjallë.

Qyteti lëndohet, shërohet, vritet.

Qyteti është zëri i atyre që kanë ikur i përzier me zërin tonë.

Qyteti është shumësi simbolesh universale, që na kthejnë në “botën tjetër”, në botën e imazheve që zbehen nga drita e kohës, por nuk humben përgjithmonë.

Imazhet e freskojnë jetën tonë njerëzore, të rënduar nga stresi, refrenet, rutina gërryese.

Kur qyteti i humb simbolet e veta universale ai bëhet vetëm vend dhe jo edhe imazh.

Qyteti në tranzicion është shpërfytyruar dhe nuk ka identitet.

Kanë humbur imazhet që mund t’i gjejmë vetëm në rrëfime artistësh e udhëpërshkruesish.

“Bota tjetër” mund të rikthehet vetëm si fiksion, si realitet i përfytyruar, simbolik, nëpërmjet kreativitetit artistik.

Mund të rikthehet vetëm si rrëfim, si imazh, si muzikë, si dramë, por jo edhe si arkitekturë.

Mbi “botën tjetër” është ngritur një botë e shëmtuar, bota e tanishme.

Nga “bota tjetër” kanë mbetur vetëm fotografitë e një kohe që i rikthehemi derisa ngulfatemi brenda një hapësirë ku mbizotëron egërsia.

Bota e tanishme, mjerisht, është më e shëmtuar se sa bota që e ruajmë në kujtesën tonë.

Botës së tanishme nuk i ka ngelur asgjë nga e kaluara.

Bota e sajuar prej shekujsh është fshirë nga shëmtia arkitektonike.

Atë botë e ka shkatërruar makutëria njerëzore.

E ka fshirë tranzicioni që solli, para së gjithash, krizë morale.

Sistemi publik u shfrytëzua për interesa personale, klanore e grupimesh politike.

Në këtë udhëkryq më të shkathtë ishin ata që nuk merakosen për gjërat e shenjta, por për interesat e tyre meskine.

Kur korruptohet sistemi publik, atëherë, në atë mjedis, prishen gjërat që duhej të ruheshin me xhelozi dhe ndërtohen gjëra që s’do duhej të ndërtoheshin.

Aty humben imazhet që i japin identitet një qyteti.

Me humbjen e imazheve qyteti bëhet vetëm vend.

Në humbjen e qytetit marrin pjesë të gjithë: ata që rrënojnë dhe ata që e shikojnë rrënimin me indiferencë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button