Takim i kryetarit të Parlamentit Xhaferi me kryeministrin bullgar Borisov

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot realizoi takim me delegacionin e Republikës së Bullgarisë i kryesuar nga kryeministri Bojko Borisov, i cili qëndron për vizitë dyditore zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Siç kumtoi pres shërbimi kuvendor, në delegacion kanë qenë edhe deputetët e Kuvendit popullor të Republikës së Bullgarisë, Xhema Grozdanova, kryetar i Komisionit për Politikës të Jashtme, Boris Vangjellov, kryetar i Grupit për miqësi me Maqedoninë dhe Stanisllav Stanov. Në takimin e palës së Maqedonisë, të pranishëm ishin Tomisllav Tuntev, koordinator i grupit të deputetëve të LSDM-së dhe koalicionit dhe Ejup Halimi, koordinator i grupit të deputetëve të BDI-së.

“Kryetari Xhaferi theksoi se dita e sotme do të nënvizohet si moment historik i shënimit të një faqe të re në marrëdhëniet midis dy shteteve, për shkak të hapit të rëndësishëm që të dyja shtetet e bënë me përmbylljen e angazhimeve shumëvjeçare përmes nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, për të cilën shfaqi bindje se do të intensifikohet në të ardhmen, veçanërisht për shkak të mbështetjes së deklaruar të Republikës së Bullgarisë për t’i ndarë përvojat e veta me Republikën e Maqedonisë rreth anëtarësisë në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesë.

Xhaferi, shtohet, e shfrytëzoi rastin dhe dërgoi ftesë zyrtare deri tek homologu i tij, kryetari i Kuvendit popullor të Republikës së Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, që ta vizitojë Republikën e Maqedonisë në gjysmën e parë të vitit 2018 gjatë Kryesimit bullgar me Këshillin e Bashkimit Evropian, me çka, theksohet do të jepet impuls i ri drejt angazhimeve të Republikës së Maqedonisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov nga ana e tij, ka shprehur kënaqësi nga realizimi i takimit dhe nga akti i nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim i cili duhet të ofrojë perspektivë të re në marrëdhëniet dhe t’i lë në histori mospajtimet shumëshekullore dhe dekadëshe midis dy shteteve.

Bashkëbiseduesit shprehën bindje të përbashkët se vetëm përmes dialogut të hapur dhe të sinqertë mund të përforcohen urat e angazhimeve të përbashkëta për vazhdimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, thuhet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button