Fushatë nga timoni. Rama, lutje emigrantëve (VIDEO)

Ka folur për timonin, kësaj radhe duke qenë vetëm një metër larg tij. Edi Rama ka bërë fushatë nga makina, ndërsa shkon nga një miting në tjetrin. Ai i është lutur veçanërisht të pavendosurve, por edhe emigrantëve, që të vijnë të hedhin votën për Partinë Socialiste, duke e quajtur 25 Qershorin, ditën e një zgjedhjeje historike, transmeton Top Channel. 

“Të dielën do të ndahet një gjë e madhe. Nëse të ardhmen e betejës për të bërë shtet do ta marrë populli plotësisht në duart e veta apo partitë do ta mbajnë peng shtetin si një tepsi në duart e tyre. Komunikoni me çdo njeri që është i lëkundur. Shqiptarët me të drejtë vote kanë një barrë të veçantë sepse duhet të zgjedhin të bashkuar për Shqipërinë me shtet dhe me drejtësi, mbi partitë. Jo të ndarë nëpër partira që Shqipërinë e duan shumë me llafe të bukura, por votën ama e duan vetëm për vete dhe për grushtin e njerëzve të privilegjuar rreth kapos”, tha Rama.

Në videon e postuar në Instagram, kreu i qeverisë pati një thirrje edhe për emigrantët.

“Ju lutem juve që jeni në emigracion dhe nuk vini dot, me gjithë dëshirën e madhe për të më ndihmuar, mbështesni procesin e shtetbërjes, flisni me familjarët e të njohurit këtu në Shqipëri dhe shpjegojuni se nuk po kërkojmë më shumë pushtet për vete, por më shumë fuqi për ju, për të bërë së bashku me ju shtetin që meriton Shqipëria”, deklaroi Rama.

“Në 25 qershor, të dielën, çdo njeri me të drejtë vote është anëtar i një gjykate të madhe, i gjykatës së popullit sovran, jo për të shkuar e për të bërë tifozllëk, por për të gjykuar me mendje të kthjellët se kë do të marrim në punë për të drejtuar Shqipërinë dhe për të bërë punët e mira për vendin dhe komunitetin”, mbylli Rama mesazhin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button