MPB-ja pezullon nga detyra pesë punonjës të lidhur me ngjarjet në Kuvend

Ministria e Punëve të Brendshme  ka vendosur për shkarkimet e para të punonjësve të saj lidhur rolin e tyre mbi ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.

Pezullimi, siç mëson Alsat M, përfshinë të paktën 5 persona, mes tyre eprorë dhe inspektorë, të cilët kishin rol direkt mbi mosveprimin e tyre në ambientet e Kuvendit, gjatë ngjarjeve të përgjakshme.

Sipas Alsat M, këto masa janë marrë nga Kontrolli i Brendshëm, ndërkohë propozimi i ministrit të Brendshëm deri te Qeveria për shkarkimin e drejtorit të Byrosë së Sigurimit Publik, Mitko Çavkov është shtyrë për mbledhjen tjetër.

Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që organi ekzekutiv të taktizojë propozimin e ministrit të Brendshëm Agim Nuhiu. Profesori Qebir Avziu vlerëson se drejtori i BSP-së Mitko Çavkov mund të suspendohet nga ana e ministrit në rast se ndaj ti iniciohet procedurë penale për mos përgjegjësi.

“Në rrethanat aktuale dihet se Qeveria nuk do ta shkarkojë drejtorin e BSP-së dhe ky do të vazhdojë të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Ka edhe një rrethanë tjetër e cila nuk përmendet në ligjin e policisë. Sikur Prokurori Publik ndaj drejtorit të BSP-së të inicionte procedurë penale, atëherë kjo do t’i jepte mundësi ministrit të Brendshëm të suspendojë nga detyra drejtorin e BSP-së”, ka thënë Avziu.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është formuar një grup pune, i cili në bazë të raportit të Kontrollit të Brendshëm do të veprojë edhe me shkarkim-emërimet nga radhët e eprorëve. Lidhur me këtë ligji për polici kompetenca të plota i garanton ministrit të Brendshëm.

Siç mëson Alsat nga burime brenda MPB-së, ndër të parët nga eprorët pozita e të cilëve vihet në pikëpyetje është Mitko Peshov, drejtues i njësitit të veçantë dhe njësisë speciale, njëkohësisht nip i drejtorit të BSP-së Mitko Çavkov. Pas ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend, një ditë më pas ministri i Brendshëm Agim Nuhiu shkarkoi nga Shtabi operativ Mitko Çavkovin me pretekstin se nuk ka qenë në krye të detyrës natën kur u sulmuan dhunshëm deputetët e shumicës së re dhe në vendin e tij emëroi Goranço Savovskin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button