Pirs: Të respektohen proceset demokratike
Nuk i ka mbetur Britanisë së Madhe që të thotë se kush duhet ta formojë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, por ne jemi këtu që të japim përkrahje për zhvillimin e demokracisë dhe integrimit të vendit në BE dhe në NATO dhe të përkrahim popullin e saj.
Këtë e theksoi drejtoresha politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Karen Pris, e cila sot është për vizitë në Republikë e Maqedonisë, transmeton MIA.
“Sot u takova me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi, i cili sapo pati takim me Mogerinin në Bruksel dhe do të doja që të përsërisja fjalët e saj se strukturat qeveritare duhet që të drejtojnë vendin në emrin e të gjithë qytetarëve”, theksoi Pirs.
Kabineti i kryetarit të Parlamenti të Maqedonisë njoftoi se Pirs ia uroi zgjedhjen Xhaferit si kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe i dëshiroi sukses në kryerjen e funksionit”.
Në njoftim citohet se ajo e përsëriti angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar se bashkëpunimi i deritanishëm ndërinstitucional me Republikën e Maqedonisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mbretëria e Bashkuar, theksoi, mbetet në përkrahjen e realizimit më të shpejtë të përcaktimeve themelore të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Xhaferi e falënderoi Pirs për urimet, por edhe për përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar ia jep Republikës së Maqedonisë. Gjatë kësaj ai theksoi se funksionin kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë do ta kryejë në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, partiake apo ndonjë përkatësie tjetër. Xhaferi shprehu binden e tij se procesi i transferimit paqësor të pushtetit do të vazhdojë dhe në këtë drejtim pritet formimi i shpejtë i qeverisë së re, përmes zgjedhjes së saj në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Pirs dhe Xhaferi këmbyen edhe mendime për gjendjet në rajon. Në këtë drejtim, Xhaferi edhe një herë e theksoi rolin pozitiv që Republika e Maqedonisë e ka treguar edhe deri tani në ruajtjen e stabilitetit të rajonit dhe perspektivës së tij euroatlantike. Ai edhe një herë përmendi se problemi me emrin i imponuar nga fqinji ynë jugor është një pengesë e madhe në proceset integruese të Republikës së Maqedonisë. Por, gjithashtu ai shprehu gatishmëri për një akses konstruktiv në zgjidhjen e kësaj çështje, që do të konfirmohet nga të gjithë qytetarët e këtij vendi.
Pirs u takua edhe me liderët e LSDM-së, Zoran Zaev, të BDI-së, Ali Ahmeti, BESË-s Bilal Kasami dhe sekretarin e Aleancës së Shqiptarëve, Vesel Memedi.
“Së bashku, të gjithë liderët e partive politike, në mungesë të Selës, ndërsa në prani të deputetit Vesel Memedi, biseduam për perspektivat e ardhshme të Maqedonisë si shumicë parlamentare, respektivisht liderët që qëndrojnë pas 67-të nënshkrimeve që i janë parashtruar Ivanovit dhe të cilët presin marrjen e mandatit”, deklaroi Zaev.
Pirs në Maqedoni erdhi nga Kosova pas takimit që pati me përfaqësuesit e autoriteteve prishtinase, ndërsa paraprakisht e vizitoi edhe Beogradin. Gjatë këtij turneu rajonal ajo u informua me ngjarjet në këto vende si dhe me zbatimin e reformave.