Dijetari nga Manastiri që besoi te rinia

Tajar Zavalani, nga Manastiri, ky mendimtar i harruar, u dallua për gjykimin e mprehtë dhe dijen e thellë për problemet socio-kulturore. Ai ishte mendimtari me prirje perëndimore, që u angazhua për një shoqëri të hapur, pluraliste, moderne dhe njëkohësisht ishte kundërshtar i çdo totalitarizmi.

Në fillim i ndikuar nga idetë komuniste dhe më pas një antikomunist, ai besoi se vendi mund të zhvillohej në rrugë evolucioniste dhe jo revolucionare. Ky zhvillim duhej bërë nëpërmjet kulturës dhe një programi të mirëmenduar.

Kombet e prapambetur, që të zhvilloheshin shpejtë, duhej të punonin me kriter, me program të qartë; t’i njihnin problemet që t’u gjenin zgjidhje.

Tajar Zavalani, thotë studiuesi Ndriçim Kulla, që është ndër më meritorët për rikthimin e emrave të shquar të mendimit shqiptar në sistemin tonë kulturor, “shkruajti për çdo shqetësim të shqiptarëve të gjendur për herë të parë në marrëdhëniet e koklavitura në shtetin e krijuar prej atyre vetë”.

Ashtu sikurse Branko Merxhani ose Anton Harapi edhe Tajar Zavalani foli për një “ideologji shqiptare”, në kohën e dy ideologjive dominuese: fashizmit dhe komunizmit.

Në shkrimin “Për një ideologji shqiptare” ai shprehej se “importimi i ideologjive në formë kallëpi të pandryshueshëm është i pamundur dhe i rrezikshëm”. Çdo program duhej t’i kishte parasysh edhe specifikat shqiptare.

Zavalani, gjithashtu, ishte kundër përçarjeve fetare, sepse e pengonin “formimin e unitetit kombëtar”.

Dijetari nga Manastiri ishte i adhuruari i rinisë së kohës. Nga djalëria shqiptare ai kërkoi vetiniciativë dhe përgjegjësi shoqërore. Sipas tij, rinia kishte obligim të kontribuonte në zhvillimin e atdheut, sepse me kapitalin moral, kulturor, intelektual të brezit të vjetër nuk mund të ecej përpara.

“Njeriu pas të dyzetave bëhet vetvetiu konservator”, thoshte ai dhe shtonte: “të vjetrit nuk mund t’i kuptojnë problemet e kohës dhe dëshirat e rinisë për ndryshim”.

Rinia duhej që të punonte për ngritjen kulturore të kombit, të bëhej avangardë e përparimit të vendit, të punonte me disiplinë, të kishte ide të qarta, të kishte vullnet pune, shpirt sakrifice dhe të bashkohej në frymën e re.

“Rinia shqiptare duhet të flakë jashtë radhëve të saj arivistët, syrtykët, dallkaukët e mbledhur nga janë dhe nga s’janë. Duhet që të zhdukë nga rrethi i vet frymën e ndotur të kohës së kaluar dhe të ngjallë shpirtin e solidaritetit, mystikërinë e së mirës së përgjithshme, nderimin e emrit shqiptar dhe përbuzjen për ata që i vënë njollë këtij emri”.

Në artikullin “Pikëpamje të përgjithshme” shkruante se rinia duhej që ta krijonte idenë për veten se “jeta i vlen”, se ia vlente sakrifica për një qëllim të caktuar, se ideali i saj duhej që të ishte hapja e rrugës drejt qytetërimit.

Ai, sikurse Mit’hat Frashëri, flet për të metat e shqiptarëve. Ato ishin: mungesa e disiplinës, egoizmi i cekët dhe mungesa e solidaritetit, që e pengonin kooperimin brendashqiptar.

“Stan me lepuj – punë kolektive me shqiptarët, janë gjëra të pamundura”, shkruante Zavalani, që mbajti qëndrim kritik ndaj elitës intelektuale, veçmas ndaj intelektualëve të rinj, sepse nuk e kryenin misionin e tyre në shoqëri.

Në shkrimin “Populli dhe intelektualët”,  i kritikon ata intelektualë pa kurajë qytetare, që ankoheshin se populli nuk i kuptonte.

“Intelektualët shqiptarë (…) nuk duan as ta pranojnë se u mungon kurajua civile. Atëhere ç’bëjnë? Ngushëllohen me frazën tipike: nuk bëhet punë me këtë popull… Harrojmë se në çdo vend pionjerët e kulturës janë ignoruar, përbuzur, persekutuar dhe, gjëja më e hidhur për ta, populli që donin të ndriçonin i ka shikuar shumë herë si armiq”.

Zavalani i kritikonte të arsimuarit nëpër universitetet evropiane për shkak se ishin pasiv në shoqëri.

“Në qoftë se qënja nëpër universitetet e Evropës nuk na ka ngjallur ambicjen që të lëftojmë për të vendosur kulturën dhe qytetërimin në vendin tonë, atëherë është kot q’i themi vetes intelektualë”.

Gjithashtu i kushtoi rëndësi pozitës së gruas në shoqëri patriarkale. Gruaja duhej ta çmonte detyrën e saj, të kishte ndjenjën e përgjegjësisë dhe të dinjitetit të vetë.

“Si mund të zhvillohen këto ndjenja në një grua që rritet e jeton si skllave dhe nuk ka të drejtë as të mendojë, as të gjykojë, as të vendosë me mendjen e vetë. E përdorin gruan në vend të një plaçke, e përbuzin kur ajo guxon të çfaqë një mendim të sajnë, dhe pastaj duan që të çmojnë detyrën e saj dhe betohen se nuk e pengojnë të qytetërohet. Qëllimi i qytetërimit është që gruaja të mos kufizohet në rolin e një kafshe shtëpiake, por të marrë pjesë aktive në jetën e shoqërisë krah për krah me burrin. Qytetërimi i vërtetë fillon atëherë kur gruaja del nga rrethi i ngushtë i familjes dhe lartësohet shpirtërisht duke zhvilluar fuqitë e saj mendore dhe ndjesitë e saj të holla”.

Tajar Zavalani lindi më 1903 në Manastir. Ai botoi shumë artikujt, recensione, polemika në shtypin e kohës. Shkrimet e tij janë përmbledhur në librin “Misioni i shekullit XX”, i përgatitur nga Ndriçim Kulla. Një kohë punoi në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Studioi për ekonomi politike në Rusi, ku iu vra vëllau dhe kjo e bëri antikomunist të vendosur. Në kohën e pushtimit fashist emigroi në Angli, ku punoi për BBC. Si aktivist dhe si gazetar e kundërshtoi regjimin diktatorial të Hoxhës dhe besoi në fundin e tij. Shkroi librin “Histori e Shqipërisë” (1965), në dy vëllime, si kundërvënie ndaj falsifikimit të historisë shqiptare nga historianët e instrumentalizuar. Përktheu me pasion e mjeshtri shumë vepra të letërsisë botërore. U shua në Londër më 1966. Idetë e mendimtarit të harruar janë shumë aktuale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button