Maqedonia sipas Felix Ruttenit 

Revista Leven en werken e Amsterdamit njoftonte në vitin 1934 se me udhëpërshkrimin e shkrimtarit dhe poetit holandez, Dr. Felix Rutten-it (1882 – 1971), fillonte seria e kontributeve të autorëve holandezë për Ballkanin.

Rutten-i e botoi një reportazh për Maqedoninë, që e filloi me historinë e saj të lashtë. Sipas tij, nga perandoria e vjetër botërore e Lekës së Madh, që triumfoi mbi Greqinë, kishte mbetur vetëm miti. Pas romakëve dhe të tjerëve pas tyre, kishin triumfuar turqit, prandaj pati vetëm vilajete turke, si: Kosova, Manastiri dhe Selaniku, që nënkuptoheshin me emrin Maqedoni. Por, thotë ai, tani Selaniku ishte bërë grek, Manastiri e kishte humbur emrin dhe ishte bërë Bitola, kurse Kosova ishte pushtuar nga Serbia.

Maqedonia, e cila njihej si vend me popullatë të përzier, kishte shqiptarë, turq, sllavë, grekë, romë, vllahë dhe shqiptarë e hebrenj katolikë. Feja i kishte ndarë njerëzit në grupe të ndryshme. Për shkak të larmisë etnike, kulturore dhe religjioze, “çështja maqedonase” dukej e pazgjidhshme. Askush nuk e merrte guximin të vendoste nëse vendi duhej të ishte bullgar ose serb. As gjuha e popullatës nuk jepte përgjigje përfundimtare në këtë drejtim. Serbët dhe bullgarët grindeshin për Maqedoninë dhe pretendonin se ky ishte territori i tyre. Rutten-i parashikoi se këto pretendime do të shkaktonin luftëra të reja dhe besonte se Greqia s’do të ishte indiferente. Shqiptarët nuk i përmend.

“Parajsa maqedonase”, e cila në të ardhmen mund t’i joshte turistët, ishte vend i pazhvilluar dhe botë e panjohur. Autoritetet jugosllave hezitonin t’i lejonin të huajit ta vizitonin pa ndonjë shoqërues. Jo se rrugët ishin të pasigurta, por sepse turistëve s’mund t’u siguronin komoditet si në Europë.

Maqedonia nën Mbretërinë Jugosllave quhej Serbi e Jugut me Shkupin si qytet kryesor, shkruan Rutten-i. Pikërisht nga Shkupi ai e filloi udhëtimin, sepse aty, siç thotë, varej paqja në Europë dhe Ballkan.

SHKUPI, sipas Rutten-it, shquhej për peizazhin e bukur dhe ishte qytet i ndarë. Gjysma e tij dukej si fshat i madh, kurse gjysma tjetër ishte modernizuar ndjeshëm. Në pjesën e zhvilluar kishte dy hotele të mira, kazino oficerësh, spital të shkëlqyer, kafene ku shijohej kafeja dhe ëmbëlsirat turke, kurse mbrëmjeve, në një pijetore më të vogël, shihje edhe shfaqje kërcimi.

Shkupi dominohej nga kalaja, kurse si veçanti ishin xhamitë, minaret, karavansaraji mesjetar, i kthyer në muze, si dhe një faltore e vjetër serbe me dekorime të bukura. Më befasues dukej tregu dhe jeta e rrugës. Tregu, shkruan ai, dukej si libër i madh figurash, ku njeriu mund t’i gjente gjërat më piktoreske të Ballkanit. Si në Sarajevë.

Përveç pjesës urbane, Shkupi e kishte edhe pjesën rurale, aty ku majat deri vonë mbuloheshin nga bora, fushat ishin shumëngjyrëshe, bilbilat këndonin pareshtur, kurse bariu ia merrte këngës melankolike shoqëruar nga fyelli rural. Aty kishte fshatra si në kohërat më të lashta. Fshatarët ishin me veshje shumëngjyrëshe, kurse gratë, me përparëse të veçanta dhe rroba të qëndisura, punonin në fushë.

PRILEPI iu duk si fshat oriental, por me tregti të zhvilluar dhe shumë gjallëri. Ardhja e autobusit aty ishte ngjarje dite për banorët. Në Prilep i bëri përshtypje kështjella e Kralit Marko, që populli ende i këndonte. Si i tillë, shkruan ai, Prilepi ishte bërë “qytet i romantizmit serb”.

MANASTIRI ishte më shumë piktoresk se romantik. Përveç minareve dhe një kishe të vjetër aty nuk kishte ndonjë veçanti tjetër. Rutteni e kaloi natën në “Grand Hotel”, me dhoma të thjeshta e të pastra, ku servoheshin gatime turke.

PRESPA ishte e bukur për peizazhin dhe liqenin. Aty pa shumë familje me veshje festive si udhëtonin me karroca dyrrotëshe mbuluar me qilima shumëngjyrësh. Gratë me rroba të bardha dhe me qepje të zeza, mbanin kapela me buqeta lulesh mbi to dhe rruaza e monedha rreth qafës.

OHRI, shkruan Rutten-i, e kishte rrugën kryesore të banuar tërësisht nga popullata myslimane. Aty kishte dyqane, kafene të vogla, gra të mbështjella me vello, fëmijë me shtamba pranë shatërvanëve, bukëpjekës dhe kasapë. Bukuria më e madhe e Ohrit shfaqej në lagjen e vjetër, ku shiheshin rrënojat e kështjellës mesjetare dhe faltoret bizantine. Në të kaluarën, shkruan ai, ky duhej të kishte qenë vend prosperiteti dhe qytetërimi. “Por kush e rrëfen historinë e tij? Dora turke e ka fshirë kujtimin e saj”. Ohrit i kishte mbetur vetëm liqeni dhe lagjja e bukur e peshkatarëve.

SHËN NAUMI ishte adresa e ardhshme e Rutten-it. Ai iu duk si kështjellë në breg. Afër tij ishte gardhi me tela gjemborë, që e shënonte vijën kufitare ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Vendet kufitare konkurruan për zotërimin e Shën Naumit, por Jugosllavia pretendoi se ishte vend i shenjtë për të dhe thanë se“nuk duhej të mbetej nën përkujdesjen e një populli pa kulturë”. Madje, ky vend u fut edhe nën mbrojtjen e mbretit Aleksandër, që aty e kaloi një javë pushim.

STRUGA iu duk “qytet i vogël tregtar turk”, me minare, plepa, një fermë ngjalash dhe me bujtina primitive ku servohej trofta e freskët, shoqëruar me shafran dhe zarzavate. Qyteti ishte i bukur dhe i gjelbëruar. Përgjatë rrugës shiheshin struganët që e punonin tokën, por edhe udhëtarë e barinj që këndonin. Rutten-i thotë se përgjatë rrugës nga Ohri në Strugë kishte edhe një qytet të lashtë.

DIBRA ishte qyteti tjetër që e vizitoi. Në këtë qytet, siç thotë, arrihej pas pesë orë udhëtimi me autobus nëpërmjet një rruge të shtrirë nëpër ca të çara të egra të këtij vendi malor. Aty ku zgjerohej lugina, ai pa gra këmbëzbathura që punonin nëpër ara. Dibra iu duk qytet i gjallë. Aty kishte shumë mjeshtër filigrani dhe argjendi. Rutteni e kaloi natën në një hotel rural, por të mirë. Të nesërmen, në parkun e qytetit, pa dibranët si pinin kafe. Në këtë qytet, shkruan ai, kafeja pihej gjatë gjithë kohës. Dibra frymonte e qetë. “Qytetërimi kishte triumfuar edhe në këtë fole malore”.

TETOVA ishte adresa e radhës e Rutten-it. Para syve atij iu shfaq peizazhi madhështor, me kreshta të mbuluara nga bora, që ia kujtuan Skandinavinë. Në këtë qytet, ku i ftohti të godiste supeve, kishte rrugë të mira. Aty pa karvanë që udhëtonin me karroca demash, të mbështjella në mënyrë primitive me nga një leckë të trashë përmbi shtyllat e drejta. “A nuk udhëtuan kështu edhe frankët nëpër vendin tonë para disa shekujsh?”, pyet ai.

Në Tetovën, që njihej “për pemët dhe gratë e bukura”, kishte shumë shtëpi shqiptarësh. I uritur Rutten-i hyri në një dyqan, ku nuk kishte as bukë, as djathë, as çokollata. Shitësi, pasi i tha se nuk kishte asgjë, i ra shpatullave me dhembshuri. Rutteni mezi arriti ta gjente një tortë dhe një copë bukë që ia dha shoferi. “Pastaj malet shqiptare humben”.

Rutten-i u rikthye në Shkup, ku sërish iu shfaq tregu, kjo botë e rrëmujshme dhe shumëngjyrëshe. I bënë përshtypje zogjtë e shumtë dhe befasues, si askund tjetër në Europë.

Përkundër asaj që i kishin thënë në Beograd, se rajoni, të cilin e vizitonte, ishte i paqytetëruar dhe i egër, atij ai iu duk mikpritës, plot vullnet dhe me qëllime të mira.

Ky udhëtim, siç shkruan, ia riktheu buzëqeshjen. Vendi kishte peizazh që shkëlqente me ngjyrat e freskëta dhe plot bukuri lëvizëse, por “kishte mbetur ashtu siç kishte qenë që nga dita e krijimit”. (Fusnotat janë hequr)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button