Danilo Mediqi për shqiptarët

Danilo Mediqi (1844 – 1879) ishte poet dhe përkthyes kroat. Ai botoi libra letrarë dhe traktate. Në librin Poezi të ndryshme të periudhës së parë (Zagreb, 1873) i përfshiu edhe poemat “Skënderbeu” dhe “Arbrit”. Libri ka disa himne për strategët më të mëdhenj të historisë, si: Leka i Madh, Napoloni apo Atila. Në këtë rang renditet edhe Skënderbeu.

Në poemën “Skënderbeu” lartësohet figura e kryeheroit dhe flitet për betejat e arbërve kundër ushtrisë osmane. Në fillim të poemës kemi një atmosferë të zymtë. Retë e kobit shtrihen “mbi Ballkan, mbi kurorën e Simeonit dhe të Heladës”. Popujt e Ballkanit i nënshtrohen sundimin osman, përveç arbërve krenarë dhe trima. Ata, nën udhëheqjen e Gjon Kastriotit, u rezistojnë jeniçerëve. Pas shumë betejave, “mposhtet Kastrioti nga Epiri” (Gjoni) dhe bie Akhisari (Kruja). Gjoni e pranon vasalitetin dhe i lë peng djemtë në sarajet e Sulltan Muratit, i cili e sheh Gjergjin e vogël si strategun e ardhshëm ushtarak, prandaj i urdhëron vartësit që “t’ia mësojnë mësimet e shenjta të Kuranit”. Gjergji nuk ligështohet as “kur brenga ia vret gëzimin në zemër”. Sulltani beson se kur Gjergji “do ti harrojë ditët e fëmijërisë”, atëherë, si serasqer pasha, do të bëhet “dielli ndriçues mbi kurorën perandorake”. Për këtë qëllim e trajton si djalin e tij, Bajazitin. Por Gjergjin vazhdimisht e bren një pikëllim: “Ikin motet, jeniçeri rritet, / një brengë e shqetëson / asnjë shenjë turqve s’u shfaq / për pikëllimin që zemrën ia sëmbon”. Me kalimin e viteve “djali nga Mirdita i dërmon taborët me kalin e shpejtë”, kurse”lavdia i përhapet nëpër botë” nëpërmjet lahutarëve. Gjergji kthehet në Krujë dhe, ashtu siç e përshkruan historia, e merr qytetin nëpërmjet një fermani të falsifikuar. Me këtë rast i drejtohet zyrtarit osman: “Unë para jush po qëndroj / Fermanin, Pasha, / se e keqja të pret / Sulltanin nuk e pranoj”. Padishahu i zemëruar e urdhëron vezirin që ta mposht Skënderbeun, të cilin “Epiri e pranon si mbret”. Paraprakisht, nuk arrin t’i korruptojë mirditorët. Ata nuk i pranojnë dhuratat e Sulltanit, sepse i pandehin si shenja djallëzie. Në strofën e fundit autori shkruan për periudhën pas vdekjes së Skënderbeut. “Çfarë ndodh tani me Mirditën?” Vetëm lot, zi dhe skamje. Arbrit u shërbejnë të huajve. Ata e kanë harruar heroin e tyre. Historia e lavdishme është hijezuar.

Te poema “Arbrit” ngjarja ndodh “afër Bunës në Epir”. Arbrit krenarë dhe të fisëm, që nuk i frikësohen vdekjes, përgatisin një dasmë. Personazhi lirik, sipas traditës, zgjidhet kumbar nga miku epirot. Kumbari çuditet me dasmën epirote, sepse aty nuk ka as dasmorë, as valltarë, as djem të njomë e vasha të reja, as bajrakë dhe as stoli e dhurata. Është një dasmë ku mbretëron qetësia dhe vetëm “Buna dridhet si llavë”. Djemtë nga Epiri i thonë: “Të vetëm na varrosni dhe me guxim mbroni fenë”. Pastaj e porosisin që ta ruajë sekretin. Në fakt, arbrit nuk bëjnë dasmë, por përgatiten për luftë. Në fund vriten “nipat e Skënderbeut”.

Skënderbeu, sipas Mediqit, është strategu, i cili ka hequr dorë nga privilegjet që ta mbrojë nderin e nëpërkëmbur të atdheut dhe Europës.

Për shqiptarët dhe Skënderbeun kanë shkruar shumë autorë kroatë. Në shekullin XVII shkroi Ivan Gunduliqi, Junije Palmotiqi në veprën Zërat dhe Pavao Ritter Vitezoviqi në veprën Novus Skenderbeg (1682). Në shekullin XVIII autori Mate Zoriçiqi la një dorëshkrim për Skënderbeun (1752), kurse Andrija Kaçiq Mioshiqi e botoi më 1756 poemën e gjatë për Skënderbeun. Kjo poemë i shërbeu si pikënisje Ivan Kukuleviq Sakcinskit për ta shkruar tragjedinë Skenderbeg. (Stipe Botica, Andrija Kačić Miošić, Školska knjiga, Zagreb, 2003, f. 123). Në shekullin XIX, gjegjësisht në vitin 1836, revista “Danica ilirska” e botoi në vazhdime një biografi të letrarizuar mbi Skënderbeun. Mihovil Pavlinoviqi e botoi rrëfimin “Gjergj Kastrioti” (Zarë, 1876), kurse Sh. Kuhaçi e shënoi një këngë popullore kroate për Skënderbeun, e kënduar nga një lahutar plak nga “Beçiqi i Shqipërisë austriake” (Fr. Š. Kuhač, Južno – slovjenske narodne popievke, Zagreb, 1881, f. 302).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button