Si i harxhon paratë e shtetit presidenti Gjorge Ivanov?

Për fotografi, kroniza të fotografive, flamuj, dhurata për mysafir dhe udhëtim me taksi, këto janë gjërat në të cilat kabineti i presidentit Gjorge Ivanov i harxhon mjetet nga Buxheti i Maqedonisë, njofton BIRN. Ata gjithashtu njoftojnë se në furnizimet e fundit të kabinetit të Ivanovit, mund të shihet se më së shumti mjete ai ndanë për blerjen e dhuratave, rreth 20.000 euro, njofton Portalb.mk.

Ivanov në vit si institucion ka në dispozicion mbi 1,3 milionë euro. Këto para shkojnë për lukse, harxhime teknike dhe gjësende tjera. Mijëra euro janë harxhuar për zhvillimin e fotografive, për korniza për fotografi, blerje të flamujve, dhurata për miqtë dhe udhëtim me taksi nga të punësuarit.

Përpara zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar, presidenti Ivanov ka nënshkruar marrëveshje për 2.700 euro për zhvillim të fotografive me dimensione të ndryshme. Në vitin 2015, presidenti ka zhvilluar fotografi me çmim prej 1.900 euro, ndërkaq në vitin 2014, 3.800 euro.

Në vitin 2015, Ivanov ka blerë foto-aparat që ka kushtuar 1.500 euro. Në vitin 2013, pajisjen fotografike që e ka porositur ka kushtuar mbi 3.500 euro.

Menjëherë pas mbarimit të zgjedhjeve, presidenti ka nënshkruar marrëveshje për furnizim të flamujve, me vlerë prej 5.400 euro. Në vitin 2013, flamuj ka blerë për 5 mijë euro. Për dy vite, 2015/16, Ivanov ka porositur 1.640 flamuj.

Përpara viti të ri, janë porositur pako të Vitit të Ri për thuajse 3.000 euro, ndërkaq për vetura me qira për udhëtim të delegacioneve janë harxhuar 23.000 euro.

Me kompaninë e taksive “Sonce”, Ivanov ka nënshkruar marrëveshje për shërbimet e tyre me vlerë prej 5.800 euro, që do të thotë (duke përfshirë vikendet dhe festat) mesatarisht ka harxhuar në ditë nga 1.000 denarë. Sipas përllogaritjeve të BIRN-it, gjatë vitit 2014 deri vjet, presidenca për shfrytëzimin e shërbimeve të taksive ka harxhuar 17.000 euro.

Për herë të fundit, presidenti Ivanov i ka rinovuar mobiliet në vitin 2015 kur është furnizuar “klub kolltuk”, “Divan ekskluziv”, “kolltuk ekskluziv”, “tavolinë qelqi” etj., të cilët kanë kushtuar 4.500 euro. Në vitin 2013, për mobilje ka harxhuar 23.000 euro.

Kur bëhet fjalë për dhuratat, kabinet i Ivanovit vitin e kaluar ka preferuar motive nga historia maqedonase. Gravure nga metali me motive nga Shkupi i vjetër, mozaikë, bizhuteri filigrani, skulptura të vogla të veprimtarëve të së kaluarës maqedonase, pulla për këmisha etj… Këto janë një pjesë e gjësendeve që i ka bërë dhuratë, ndërkaq furnizimi ka kushtuar 22.700 euro.

Ivanov gjithashtu ka dhuruar dhe kravata. Ai në vitin 2014 ka porositur 250 kravata me shkrimin në etiketë: Ëith Copliments H E Dr. Gjorge Invaov, President Republic of Macedonia. Në të njëjtin vit ai ka porositur edhe 100 shalle për gra, me të njëjtën porosi. Gjithsej, për dhurata në vitin 2014 nga Buxheti janë ndarë rreth 17 mijë euro. Edhe në vitin 2013 kabineti i Ivanovit përsëri ka porositur kravata për 4.300 euro.

Në vitin 2013, presidenti ka porositur anketë nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup për 4.800 euro.  Mjete për promovim medial të Ivanovin ka ndarë në vitin 2011, ku me ndërmarrjen “Omega Comunication” ka lidhur marrëveshje me vlerë prej 5.700 euro. Të njëjtin vit, Ivnaov ka porositur materiale pormovuese me vlerë prej mbi 5.700 euro. Prej atëherë Ivanov nuk është promovuar në media dhe nuk ka porositur anketa për besueshmëri.

Në vitin 2017, buxheti për presidentit e Maqedonisë është 1.33 milionë euro dhe është për 4.4% më i lartë se vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button