Protesta e opozitës, Rama: Asgjë dramatike, vettingu nuk po gëlltitet

Mungesë komunikimi por asgjë dramatike. Kështu e ka cilësuar protestën disa ditore të opozitës kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë për Francë 24 gjatë vizitës së tij në shtetin francez, e cila u transmetua mbrëmjen e sotme, njofton Oranews.

Rama: Unë mund t’ju them vetëm se jemi demokraci e re dhe kemi ende për të mësuar dhe për të ngritur instrumente për një komunikim normal midis njerëzve dhe partive politike, por asgjë dramatike.

Duke folur për reformën në drejtësi, Rama tha se është paradoksale sesi një qeveri pozicionohet pro saj dhe opozita kundër.

Rama: Në fakt është disi paradoksale rrallë ndodh që një qeveri të përcaktohet për një reformë radikale në drejtësi shumë të rëndësishme siç e thatë dhe ju të lidhur me korrupsionin në nivele të larta dhe opozita të jetë kundër. Është një reformë që e kemi nisur në harmoni me misionin e drejtësisë së BE dhe atë të SHBA të mbështetur me shumë ekspertë dhe eksperienca në gjirin e BE për reforma të tilla në vende të tjera që kanë dalë nga komunizmi dhe pasi kemi bërë ndryshime edhe në Kushtetutë për një drejtësi të pavarur në Shqipëri kemi ardhur tek pjesa më e vështirë për tu gëlltitur për fat të keq nga disa, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Mbi akuzat e opozitës se përmes kesaj reforme synon kapjen e drejtësisë, ai u shpreh:

Rama: Jo, nuk besoj se BE dhe SHBA si partner strategjikë të Shqipërisë do të kishin pranuar një reformë apo cilëndoqoftë që do të vinte dorë mbi drejtësinë, pastaj me ndryshimet në Kushtetutë dhe në legjislacion opozita zgjedh 50% për komisionet e kontrollit që janë një filtër shumë-shumë i imët për gjyqtarët dhe prokurorët që duhet të justifikojnë veprimet e dënueshme që kanë bërë gjatë karrierës së tyre. Është një strukturë shqiptare me një monitorim të gjyqtarëve dhe prokurorëve europianë dhe amerikanë.

I pyetur për shkarkimin e katër Ministrave në prag të zgjedhjeve dhe nivelin e lartë të korrupsionit, Rama deklaroi:

Rama: Së pari duhet t’ju them se në Shqipëri jemi të gjithë të akuzuar prandaj kemi nevojë për një drejtësi të vërtetë për ti dhënë fund një politike të bazuar në shpifje dhe në akuza që vjen disi nga e kaluara pasi kemi pak që kemi dalë nga një sistem ku opozita nuk ekzistonte, ku ishim vetëm ne dhe armiku. Kjo armiqësi në debatin politik është një problem që duhet të zgjidhet përmes një kulture politike, të dilogut me opozitën. Nga ana tjetër Ministrat nuk janë pushuar për akuzat, por për një riformatim. Dua t’ju them se sa për TI ne kemi bërë hapa shumë të konsiderueshëm por nuk mjafton.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button