Telefoni i prishur

E marta që shkoi ishte ditë e gjatë me pritshmëri të larta. Gjithë ditën pritëm të shofim rezultatin e takimeve të liderëve të partive parlamentare me Eurokomesarin Johanes Hann si dhe me tri Eurodepotetët, Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl. Liderët e partive politike dolën nga takimet me deklarata të ngjashme lidhur me mesazhet e mara nga delegacioni i lartë i Unionit Evropian.

Nëse pranimin e këtyre mesazheve të rendësishme e krahasojmë me mesazhet e përçuara me një linjë telefonike do të arrinim tek disa përshtypje interesante. Kështu, sipas kësaj logjike, tek telefonatat e partive parlamentare shqiptare, e veçmas tek telefoni i BDI-së mund të thuhet që përzihen më shumë vale nga më shumë vende: lindore, perëndimore, evropiane, joevropiane, majtiste djathtiste, pro apo kundër zhbllokimit të procesit politik edhe ashtu të ngatëruar. Megjithatë, ajo që mund të thuhet, ështe se tek këto “telefonata”, diku nga fundi i bisedës, sinjali evropian bëhet gjithnjë e më i fuqishëm dhe i neutralizon pak a shumë sinjalet tjera, të cilat megjithatë, mbeten aty.

Nga ana tjetër, takimi i fundit i Delegacionit ishte rezervuar për VMRO-DPMNE-në. Zgjati plot dy orë e gjysmë, dhe pas tij nuk e pamë liderin e kësaj partie të sqarojë rrjedhën e takimit. Kjo detyrë iu besua noterit Antonio Milloshovski, që sipas ligjit e ka të vështirë ta arsyetojë barjten e funksionit partiak, atij të deputetit, si dhe atij të noterisë në të njëjtën kohë. Sidoqoftë, ajo që mund të përfundohet nga deklarata e tij e asaj mbremjeje tregon qartazi një fakt: që telefoni i VMRO-së për pranimin e sinjaleve nga Unioni Evropian është tërrësisht i prishur dhe jofunksional. Ky telefon punon vetëm në një linjë, nga VMRO-DPMNE tek UE, dhe jo anasjelltas. Prandaj, nuk është çudi që të gjithë liderët tjerë treguan pak a shumë se cili ishte mesazhi i Delegacionit ndaj tyre, ndërsa vetëm Milloshovski tregoi çka i ka thënë VMRO-DPMNE-ja UE-së. Asnjë mesazh i marë nga Delegacioni nuk u transmetua nga Milloshovski, gjë që vërteton punën e njëanshme dhe jo të plotë të telefonit të kësaj partie. Të them të drejtën, më kujtoi lojën që e luanim si të vegjël, kur në gjithë klasën pëshpëritej vesh më vesh një fjalë dhe në fund. Nëse në vend të asaj fjale nxënësi i fundit thoshte një tjetër, kuptoheshte që telefoni ishte prishur diku rrugës. Por ky telefoni i prishur i VMRO-së na kushton ca si shumë, neve qytetarëve të këtij vendi, që mbetëm të ngatërruar në këtë krizë politike ku edhe partitë tona mendohen ende si të veprojnë. Të rrinë apo mos të rrinë duarkryq, ta bëjnë ose të mos e bëjnë qeverinë. Dilema të renda hamletiane, në këto kohë kur shihet qartazi situata bardhë e zi e krijuar.

Me rëndësi është që Delegacioni i lartë i UE-së kësaj rradhe la pas një deklaratë të shkruar. Edhe pse kishte shumë dilema lidhur me anulimin e konferencës për shtyp të caktuar paraprakisht, unë e kuptoj tendencën që gjërat të shkruhen qartë dhe kuptueshëm dhe të jenë deklarata të pakontestueshme të Delegacionit. Të mos ketë dilemma pastaj rreth interpretimit të fjalëve, konotacionit, intonacionit etj. Dhe në fund të fundit, vetë romakët e vjetër kanë thënë: Scripta manent, verba Volant (Shkrimi mbetet, fjalët i mer era).

Ndërsa Deklarata e shkruar e Delegaconit ska si të jetë më e qartë:

Fillon me mësimin e pare të demokracisë moderne. Të gjithë liderët politikë, duke përfshirë këtu edhe presidentin Ivanov, duhet ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në demokraci, shumica parlamentare pranohet si e tillë. Vetë fakti që kjo duhet të jetë pjesë e kësaj deklarate na bën të kuptojmë që jemi shumë larg notës kaluese dhe njohurive elementare lidhur me funksionimin e demokracisë.

Mësimi i dytë: proceset demokratike duhet të lejohet të ndodhit. Që do të thotë se dikush i pengon ato. Ai dikushi ka një emër. Emri i tij është Ivanov, ai i cili nuk pranoi të takohet me Delegacionin e lartë duke bërë kështu presedan në historinë diplomatike të Maqedonisë. Sidoqoftë, i njëjti e mori selamin me shkrim ku i thuhet se duhet ta marë në rikonsiderim vendimin e tij lidhur me mosdhënien e mandatit. Presidenti nuk respekton Kushtetutën dhe nuk respekton parimin e respektimit të procesit demokratik zgjedhor me të cilin ndryshon pushteti. Nuk e di si arritëm gjer në këtë pike të turpit. Ai turp ka emër dhe mbiemër, quhet Gjorge Ivanov. Por ai turp ka edhe një sërë përemrash: unë, ti, ai, ajo, ne, ju, ata, ato, që kontribuan në çfarëdo mënyre që ky njeri i turpshëm të tallet sot me vullnetin e qytetarëve dhe të ikë nga takime të larta e vendimtare për shtetin.

Mësimi i tretë: nuk ka kohë për të humbur. Pasojat janë të dukshme që tani, prandaj është e domosdoshme që pa asnjë arsyetim dhe pa anulime qeveria e re të formohet dhe institucionet e shtetit të fillojnë të funksionojnë. Me fjalë tjera, nuk ka kohë e as vend për dilema hamletiane, as për luksin e debateve të pafundshme të cilat asnjëherë nuk mbarojnë e pas të cilave akoma mbeten të hapura pesë ose më shumë opsione. Qeveria duhet formuar, edhe atë duhet formuar shpejt. Pikë!

Mësimi i katërt: Kush luan me zjarr do të digjet nga i njejti. Edhe kur ky zjarr është ndëretnik. Posaçërisht kur ky zjarr është ndëretkin! Delegacioni tha që të gjithë duhet të përmbahen nga nxitja e urrejtjes, dhe e tensioneve ndëretnike e që nuk ndihmojnë raportet e mira fqinjësore. Delegacioni është “thellësisht i shqetësuar” për tensionet dhe gjuhën e urrejtjes. “Thellësisht të shqetësuar” në përkthim do të thote se janë ndezur të gjitha dritat e alarmit tek ky Delegacion por edhe tek organi nga i cili vjen i njejti, dhe se të gjithë sytë janë kthyer nga ne. Poashtu, në kuadër të këtij mësimi është se e drejta për shoqërim dhe protestë vjen së bashku me përgjegjësinë. Pra e drejta e protestës nuk është vetëm e drejtë por edhe përgjegjësi. Mbi të gjitha, kjo e drejtë nuk mund të kufizojë të drejtat tjera kushtetuese dhe njerëzore të një komuniteti, mbi të gjitha ato të drejta që lidhen me përdorimin e gjuhës por edhe të drejta tjera tp fituara më herët.

Mësimi i pestë: retorika negative ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe sektorit civil është tërrësisht kontra-produktive dhe duhet të ndërpritet. Me fjalë tjera: jeni duke u dukur vërtet të papjekur. Me çfarë mendje merni guxim të etiketoni ambassador dhe oranizata joqeveritare? Ku gjindeni? Ku doni të përfundoni?

Konkludimi: presim që në ditët në vijim të shikojmë sjellje shtetëformuese nga institucionet dhe formim të shpejtë të qeverisë. Kjo është mënyra e vetme për t’u kthyer në rrugën e euro-integrimeve. Me fjalë tjera: Ku jeni nisur? Çka është më e rendësishme për ju? Shteti ose partia?

Nëse këto mesazhe i duken dikujt jo të qarta, atëherë e ka shumë gabim. Këto mesazhe u janë dhënë shumë vendeve tjera, si për shembull, Republikës Demokratike të Kongos. Të njejtat mesazhe, në situata shumë të ngjashme para dhe paszgjedhore. Nuk kanë pasur sukses, tensionet kanë eskaluar në krime ndërkombëtare. Jo shumë moti, tri zyrtarëve të lartë të Kongos u janë shqiptuar sanksione nga UE: ndalim i qarkullimit dhe ngrirje e pronave. Nuk janë larg këtyre sanksioneve edhe disa persona nga shteti jonë.

Po ne, jemi larg Kongos apo jemi fqinj virtualë me ata?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button