Jep dorëheqje këshilltari i Trampit për siguri kombëtare

Këshilltari i sigurisë kombëtare Majkëll Flin dha dorëheqjen pas njoftimeve se ai nuk u kishte treguar të vërtetën zyrtarëve të administratës Tramp rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Dorëheqja e Flinit, kur administrata Tramp ka më pak se një muaj që ka filluar nga puna, shënon një tronditje të pazakontë në ekipin e lartë të këshilltarëve të presidentit.

Flin ishte mbështetës besnik i Trampit gjatë gjithë fushatës, por lidhjet e tij me Rusinë shkaktuan shqetësim mes bashkëpunëtorëve të tjerë të lartë.

Gjenerali Kith Kellog është emëruar për të shërbyer si këshilltar në detyrë i sigurisë kombëtare.

Flin fillimisht u tha këshilltarëve të Trumpit se me ambasadorin rus nuk kishte diskutuar për sanksionet. Nënpresidenti Majk Pensi me sa duket nisur nga informacionet e marra nga Flin dha garanci publike për këshilltarin e sigurisë kombëtare.

Flin më pas u tha zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë se ai mund të kishte diskutuar mbi sanksionet me ambasadorin, por nuk i kujtohej.

Dy persona që kanë dijeni për situatën thanë se Departamenti i Drejtësisë e kishte paralajmëruar administratën Tramp për kontaktet e Majkëll Flin me Rusinë.

Sipas njërit prej tyre, Departamenti i Drejtësisë i tha administratës se ka pasur mospërputhje midis asaj që Shtëpia e Bardhë ka deklaruar publikisht në lidhje me kontaktet e Flin dhe fakteve rreth këtyre kontakteve.

Personi në fjalë tha se Departamenti i Drejtësisë ishte i shqetësuar se Flin mund të ishte në pozitë të komprometuar.

Një zyrtar i administratës tha se Shtëpia e Bardhë prej javësh ka qenë në dijeni të paralajmërimit të Departamentit të Drejtësisë. Por zyrtari nuk dëshironte të thoshte nëse presidenti ishte informuar për çështjen.

Dy personat nuk ishin të autorizuar për të diskutuar mbi çështjen prandaj komentuan në kushte anonimiteti.

Gazeta Uashington Post ishte e para që njoftoi për komunikimet me Departamentin e Drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button