BIRN: “Mbrojtësi” i drejtësisë Ivanov shkel Kushtetutën

Një analizë e rrjetit ballkanik për gazetari hulumtuese BIRN rrëfen rolin e presidentit Ivanov dhe lidhjet e tij me VMRO-në. Kur publiku pret që ai të reagojë, Ivanovi zhduket nga sytë. Kur bëhet fjalë për VMRO-në, ai është i gatshëm të shpërdorojë edhe autoritetin e tij, sikurse bëri edhe me faljen e politikanëve të lartë. Sipas analizës, lidhja e Ivanovit me VMRO-në u forcua në vitin 2004, kur ai iu përshtat linjave kritike me këtë parti, në kohën e ligjit për ndarjet territoriale, i cili i dha më shumë autonomi komunave me shumicë shqiptare, si dhe gjatë procesit gjyqësor ndaj vëllait të tij, Blazhe, i cili ishte akuzuar dhe u dënua me burg për trafikim të 25 emigrantëve. Falë kësaj lidhje, Gjykata e Apelit i anuloi vendimet lidhur me këtë rast, gjoja për mungesë të provave. Analiza e BIRN shkon më tej, deri edhe te shkrimet e Ivanovit si profesor, por edhe në ngritjen e VMRO-së. Dimitar Dimitrov theksonte gjithashtu se Ivanov kishte gisht edhe në strukturën organizative të partisë, si dhe deri te tezat e antikuizimit të Maqedonisë.

“Ai sugjeroi se partia duhet të jetë një organizatë gjysmë ushtarake, dhe se nuk duhet t’i kushtohet aspak vëmendje demokratizimit të brendshëm të partisë, se partisë i duhet një disiplinë e hekurt, një hierarki e pathyeshme, një lider të padiskutueshëm, dhe pikë”, tha Dimitar Dimitrov, ish ambasador.

Sipas analizës së BIRN, kjo deklaratë lidhej me adhurimin e tij ndaj teknikave të qeverisjes nga Putin. Në një studim të tijin, “Lexo për Rusinë dhe shkruaj për Maqedoninë”, ai aludonte madje se Maqedonisë i duhej një Putin. Në analizë tregohet edhe se Ivanov ka qenë një mbështetës i lustrimit, proces ky që u vu në jetë nga ish kryeministri Gruevski.

Por Ivanov do të mbahet më së shumti në mend, për faljen e 56 personave më 12 prill të 2016, thuajse të gjithë zyrtarë të lartë, të cilët u vunë nën hetime nga Prokuroria Speciale Publike, për shpërdorim pushteti. Një akt i tillë ngjalli reagime të fuqishme në opinion, të cilët u manifestuan në protesta të dhunshme nëpër rrugët e Shkupit dhe qyteteve tjera të vendit. Pas rreth 2 muajve, më 6 qershor, ai tërhoqi vendimin, duke mbrojtur të njëjtin mendim, se iniciativën e kishte qëllimmirë për t’i dhënë fund krizës.

Analiza e BIRN përmbyllet me pyetjen retorike, nëse do të zbardhet një ditë roli i vërtetë i presidentit Ivanov në krizën politike në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button