Fjalori i Gruevskit karshi shqiptarëve: një mashtrim që nuk e “blen” askush!

Diskursi i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit për shqiptarët edhe njëherë dëshmon se ai nuk jeton në realitet, por qëllimi i tij i vetëm me këto paraqitje mediatike është që të mashtrojë opinionin dhe të manipulojë me të. Ai është dashtë që gjatë gjithë asaj kohë që është në pushtet t’i relaksonte marrëdhëniet me shqiptarët dhe ta kuptonte se shqiptarët janë një realitet, një faktor shumë i rëndësishëm për këtë shtet dhe jo “e keqe e domosdoshme”.

LEXO: Nikolla Gruevski me apel ndaj shqiptarëve “nuk jam i keq, e keni gabim!”

Kështu për Portalb.mk e vlerësojnë opinionistët shqiptarë, intervistën e fundit të Nikolla Gruevskit, i cili tha se ai është i mirë por mediat dhe partitë politike shqiptare e pasqyrojnë atë si person i cili nuk është i mirë për shqiptarët.

Petrit Saraçini thotë se ekzistojnë shumë gjëra për të cilat shqiptarët kanë vërejte ndaj Gruevskit, duke u nisur që nga mënyra e përgjithshme e qeverisjes së tij që e solli Maqedoninë në këtë gjendje. Sipas tij, shqiptarët kanë vërejtje të theksuar edhe ndaj nacionalizmit të tij të shfaqur gjatë kohës kur ishte në opozitë, me referendumin për ndarje territoriale.

“Ardhja në pushtet kur thoshte se nuk do të bëj Qeveri me terroristë, anashkalimin BDI-së si parti fituese në 2006-tën, Brodecin, Monstrën, Enciklopedinë, vrasjen e komandantëve të UÇK-së , të cilët më shumë u vranë gjatë kohës së paqes së sa gjatë kohës së luftës, e kemi aty rastin e Harun Aliut, e kemi rastin e Kumanovës, i kemi kontrollimet me forcat e armatosura speciale, me autoblinda nëpër çajtoret shqiptare për t’u kërkuar vallë kanë apo nuk kanë kasë fiskale. Të gjitha këto gjëra, dëshmojnë se Gruevski e ndërton politikën e tij karshi shqiptarëve dhe duke i përdorur shqiptarët si bazë për marrjen e tij të votave prej maqedonasve. Nuk ka kë të gënjejë Gruevski, mund të gënjejë vetveten edhe ata pak njerëz të cilët do ti besonin edhe po të thoshte se lopa fluturon.”- deklaroi për Portalb.mk, Saraçini.

Ndërkaq, kolumnisti Xhabir Ahmeti, vlerëson se nuk mund të mbrohen interesat e vendit me përjashtim të shqiptarëve, dhe ajo që ka bërë ai gjatë qeverisjes së tij, mund të cilësohet vetëm si mbrojtje e interesave maqedonase.

“Ai duhet ta ketë parasysh se duhej të angazhohej për mbrojtje të interesave shtetërore dhe jo etnike, a me mbrojtjen e interesave nacionale si duket ai kupton mbrojtjen e interesave të një etnie, aty është gabimi i tij. Nuk i kanë faj shqiptarët, ai është dashtë që gjatë gjithë asaj kohë që është në pushtet t’i relaksonte marrëdhëniet me shqiptarët dhe ta kuptonte se shqiptarët janë një realitet, një faktor shumë i rëndësishëm për këtë shtet.” thotë për Portalb.mk, Xhabir Ahmeti Ahmeti.

Sipas tij, nëse Gruevski ia do të mirën këtij shteti, duhet të ketë veprimet e kundërta me ato që i bën tani, pasi nëse vazhdon kështu si është tani, situata në Maqedoni do të vazhdojë të jetë e njëjtë dhe do të thellohet akoma më shumë në krizë. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button