Trump shkarkon Prokuroren e Përgjithshme, pasi kundërshtoi dekretin e tij

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, shkarkoi u.d. ministren e Drejtësisë pasi ajo tha se dyshon në ligjshmërinë e ndalimit të përkohshëm të udhëtarëve nga shtatë vende myslimane, të nënshkruar nga vetë Tramp.

Tramp akuzoi ushtruesen e detyrës së prokurores së përgjithshme, Salli Jejts, për “tradhti” dhe “të qenët e dobët ndaj emigracionit të paligjshëm”.

Ai tha se e zëvendëson atë me Dana Boente, prokuror i Qarkut Lindor të Virxhinias, njofton Evropa e Lirë.

Jejts ishte emëruar nga ish-presidenti Barak Obama.

Ajo ka thënë se “nuk është e bindur se urdhri i presidentit Tramp është i ligjshëm”.

“Përderisa unë jam ushtruese e detyrës së prokurores së përgjithshme, Departamenti i Drejtësisë nuk do të paraqesë argumente në mbrojtje të urdhrit ekzekutiv”, ka thënë ajo.

Urdhri ekzekutiv i Trampit, i lëshuar më 27 janar, pezullon pranimin në SHBA të të gjithë refugjatëve dhe të udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane për 90 ditë.

Kritikët thonë se urdhri është kundër myslimanëve dhe si i tillë shkel Kushtetutën e SHBA-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button