Izraeli aprovon ndërtimin e 2.500 njësive të reja banesore në Bregun Perëndimor

Kryeministri i Izraelit Benyamin Netanyahu, ka aprovuar ndërtimin e 2. 500 njësive të reja të banimit në vendbanimet hebreje në Bregun e okupuar Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin me shkrim të bërë nga Zyra e Netanyahut, thuhet se është miratuar ndërtimi i 2.500 njësive të reja të banimit në Bregun Perëndimor. “Ndërtojmë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë”, thuhet në njoftim.

Në lajmin e gazetës Haaretz, u theksua se pjesa më e madhe e këtyre ndërtesave do të ndërtohen në vendbanimet e mëdha hebreje siç Meali Adomim, Gosh Atsiyon dhe Arail.

Në lajmin ku janë transmetuar deklaratat e ministrit të Mbrojtjes së Izraelit Avigdor Liberman se “Kthehemi në jetën natyrore në Yahuda dhe Samara (Bregu Perëndimor)”, u tha se 100 ndërtesat e reja do të ndërtohen në Beil-El Yahudi në afërsi të Ramallah-it.

Netanyahu, me vendimin e marrë të dielën në mbledhjen e Këshillit të ministrave, kishte hequr të gjitha kushtet të cilat parashikonin ndalimin e zgjerimit të vendbanimeve hebreje në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor.

Me këtë Izraeli dha vendimin e dytë në lidhje me këtë çështje që nga 20 janari kur erdhi në detyrë Presidenti i SHBA-ve Donald Trump i cili mbështet ndërtimin e vendbanimeve hebreje në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor të cilat gjenden nën okupim.

Komiteti i Ndërtimit dhe Planifikimit në Bashkinë e Jerusalemit, dje aprovoi ndërtimin e 566 ndërtesave të reja në Jerusalemin Lindor.

Kryetari i Komitetit Meir Turgeman, thekson se ky aprovim do të bëhej më herët por për shkaqe politike është shtyrë deri në marrjen e detyrës së Trump-it, ndërsa njoftoi se bashkia do të aprovojë ndërtimin edhe të 11 mijë ndërtesave në Jerusalem.

Turgeman paraprakisht bëri të ditur se zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve do ta hapë rrugën për ndërtime të vendbanimeve të reja hebreje në Jerusalemin Lindor.

Ndërkaq, gjatë fushatës zgjedhore, Trump deklaroi se “Njësitë e vendbanimeve hebreje të ndërtuara nga Izraeli në tokat palestineze nuk paraqesin pengesë për bisedimet për paqe”.

Ndryshe, Jerusalemi Lindor dhe Bregu Perëndimor mbahen të okupuara nga Izraeli që nga viti 1967. Në Jerusalemin Lindor ndodhen mbi 200 mijë kolonë hebrenjë, ndërsa në Bregun Perëndimor mbi 400 mijë kolonë hebrenjë. Sipas ligjeve ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet hebreje në këtë rajon llogariten si ilegale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button